Këngëtari i ri amerikan i muzikës country, CJ Beach, ka humbur jetën në moshën vetëm 22-vjeçare, pak orë pasi ishte ngjitur në skenë në Florida.
Artisti nga Tallahassee u përfshi në një aksident automobilistik në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 7 nëntor, pak kohë pasi kishte performuar në lokalin “The Salty Donkey”, në Panacea.
Lajmin e trishtë e konfirmoi babai i tij, Charles, përmes një postimi në Facebook, ku falënderoi të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen për familjen.
“E vlerësoj jashtëzakonisht gjithë dashurinë dhe mesazhet për djalin tim CJ. Të shoh fotot dhe videot e tij më copëton zemrën, por e di që ai ishte i dashur nga shumë njerëz dhe do të na mungojë”, shkroi ai, transmeton LadBible, përcjell Klankosova.tv.
Sipas Patrullës Rrugore të Floridës, aksidenti ndodhi rreth orës 01:15, kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas me disa pemë. 22-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa rrethanat e aksidentit janë ende nën hetim.
Në një tjetër mesazh prekës, babai i tij kërkoi nga autoritetet lokale të marrin masa për rritjen e sigurisë në rrugën Rehwinkle, ku ndodhi aksidenti, duke theksuar se në të njëjtin vend kishte ndodhur edhe një tjetër përplasje fatale.
Edhe vëllai i madh, Marshall, ndau një dedikim emocionues, duke kujtuar momentet e fëmijërisë dhe lidhjen e veçantë me të vëllanë.
CJ Beach konsiderohej një nga talentet e reja premtuese të muzikës country në zonën e Tallahassee. Ai performonte si solo, ashtu edhe me grupin e tij, ndërsa mbështeste vazhdimisht artistët e rinj dhe kishte krijuar edhe një festival lokal të muzikës.
Edhe radioja lokale X101.5 shprehu dhimbjen për humbjen e tij, duke e cilësuar CJ një nga muzikantët e rinj më të talentuar të zonës.
Vdekja e tij ka lënë në zi familjen, miqtë dhe komunitetin muzikor, që do ta kujtojnë për talentin dhe pasionin e tij për muzikën.

