Arsenali ka nisur të shqyrtojë mundësitë për përforcimin e repartit ofensiv gjatë afatit kalimtar të janarit, me katër futbollistë që janë në listën e dëshirave të trajnerit Mikel Arteta.
Sipas raportimit të The Independent, londinezët po monitorojnë situatën e Alex Baenas, Endrickut, Antonio Nusas dhe Junior Kroupit, të cilët shihen si opsione të mundshme për të shtuar cilësi në fazën e sulmit.
Arteta dëshiron të përforcojë skuadrën me më shumë shpejtësi dhe kreativitet në krahët e sulmit. Ndryshimet e bëra gjatë afatit kalimtar të verës kanë lënë hapësira në repartin ofensiv, ndaj trajneri spanjoll synon të ketë më shumë alternativa për pjesën e dytë të sezonit.
Megjithatë, realizimi i ndonjë transferimi në janar mund të varet edhe nga largimet e mundshme nga Emirates Stadium.
Në mesin e emrave që pëlqehen nga Arsenali është edhe sulmuesi i Bournemouthit, Junior Kroupi, i cili konsiderohet si një profil që do t’i përshtatej mjaft mirë projektit të Artetës.
Sidoqoftë, një transferim i tij gjatë janarit vlerësohet i vështirë, çka ka bërë që klubi londinez të shqyrtojë edhe alternativa të tjera.
Për këtë arsye, vëmendja e Arsenalit është orientuar edhe drejt futbollistëve që aktivizohen te Atletico Madridi, Real Madridi dhe RB Leipzig.
Ndërkohë, planet e klubit për përforcimet e janarit mund të ndikohen edhe nga e ardhmja e mesfushorit Martin Zubimendi. Për shërbimet e tij raportohet se interesim kanë shfaqur Real Madridi, Atletico Madridi dhe Chelsea.
Një largim i mundshëm i Zubimendit mund t’i ndihmojë Arsenalit të sigurojë fondet e nevojshme për të investuar në përforcimin e repartit ofensiv. /Telegrafi/

