Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te shoferët që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, pas paraqitjes së mjegullës në disa pjesë të rajonit, e cila po shkakton kufizim të dukshmërisë.
Sipas njoftimit të Policisë, mjegulla është paraqitur veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike, duke krijuar vështirësi për pjesëmarrësit në trafik.
Për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në komunikacion, policia u ka bërë thirrje shoferëve që ta përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës.
Ndër rekomandimet e policisë janë përdorimi i dritave të shkurtra dhe atyre të mjegullës, mbajtja e distancës së sigurt ndërmjet automjeteve, shmangia e parakalimeve të panevojshme dhe kujdesi i shtuar në zonat pranë lumenjve, ku mjegulla mund të jetë më e dendur.
Po ashtu, shoferëve u është rekomanduar të shmangin përdorimin e dritave të gjata, pasi reflektimi i tyre në mjegull mund ta zvogëlojë edhe më shumë dukshmërinë.
Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.

