Një person është goditur sot rreth mesditës në rrugën e Shkupit “Fronti Popullor”, në afërsi të qendrës tregtare “Zebra”, ndërsa shoferi është larguar nga vendi i ngjarjes. Aktualisht, policia po e siguron zonën, ndërsa i lënduari është dërguar në spital. Në asfalt janë vërejtur një pasqyrë e thyer e makinës dhe pjesë të vogla plastike nga automjeti, si dhe gjurmë gjaku.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 11:30, kur me automjet është goditur këmbësorja L.J., e cila me autoambulancë të Ndihmës së Shpejtë është transportuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” për trajtim mjekësor.
Shoferi e ka braktisur vendin e aksidentit. Qarkullimi po zhvillohet vetëm në një korsi, ndërsa për shkak se në njërën anë ka automjete të parkuara, lëvizja është e vështirësuar.
Aksidenti ka ndodhur në një pjesë të rrugës ku nuk ka vendkalim për këmbësorë, megjithatë këmbësorët shpesh e kalojnë rrugën pikërisht në atë vend, pasi në fund të shtegut ndodhet një kënd lojërash për fëmijë dhe stola për ulje, çka bën që frekuentimi i njerëzve të jetë i madh. Pranë vendngjarjes priten informacione shtesë nga policia.