KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kërcënimi me armë në Ministrinë e Ekonomisë, reagon Ministria: I dyshuari ishte në procedurë disiplinore që nga shtatori

Kërcënimi me armë në Ministrinë e Ekonomisë, reagon Ministria: I dyshuari ishte në procedurë disiplinore që nga shtatori

Ministria e Ekonomisë ka reaguar pas incidentit të rëndë që ndodhi sot në objektin e saj, ku një zyrtar dyshohet se kërcënoi me armë zjarri eprorin e tij.

Përmes një reagimi zyrtar, Ministria ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se zyrtari i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Ministria e Ekonomisë konfirmon se në objektin e saj ka ndodhur një sulm serioz, gjatë të cilit një zyrtar i Ministrisë ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili ushtron detyrën e udhëheqësit të tij të drejtpërdrejtë”, thuhet në reagim.

Ministria ka zbuluar gjithashtu se zyrtari i dyshuar ishte subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator, për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.

Sipas Ministrisë, dëshmitarët dhe personat e përfshirë në incident janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente.

“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Ministria ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e përgjegjësive eventuale disiplinore apo administrative.

Kujtojmë se incidenti është raportuar të ketë ndodhur sot rreth orës 12:00, kur zyrtari me inicialet S.Sh. dyshohet se kërcënoi me armë eprorin e tij, D.B.

Sipas informacioneve të raportuara më herët, incidentit dyshohet se i parapriu një mosmarrëveshje lidhur me një komision disiplinor dhe plotësimin e një formulari.

Ministria ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente dhe se nuk do të komentojë më tej rrethanat deri në pranimin e raportit zyrtar. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.