Një person i kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është arrestuar të hënën në Prizren, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest aktiv për vuajtjen e dënimit prej pesë vjetësh burgim për vepra penale që lidhen me narkotikët.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është bërë më 9 nëntor, rreth orës 11:00, pasi zyrtarët policorë kishin pranuar informacione nga njësia e inteligjencës se personi i kërkuar po lëvizte me një automjet në territorin e Prizrenit.
Pas lokalizimit dhe ndalimit të automjetit, policia ka identifikuar drejtuesin, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest aktiv. Ai ishte i dënuar me vendim të formës së prerë me pesë vjet burgim efektiv.
Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Gjatë kontrollit, tek njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth shtatë gramë.
I dyshuari për posedimin e substancës narkotike, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme.
Ndërkaq, personi i tretë, pas verifikimeve të nevojshme, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Prizren është formuar edhe një grup i veçantë operacional (Task Forcë), i cili angazhohet vazhdimisht në zbatimin e urdhërarresteve aktive dhe arrestimin e personave të kërkuar nga drejtësia./Telegrafi/

