Me origjinë janë nga Kosova, por, suksesi i tyre ka kaluar kufijtë, madje, po njihet edhe ndërkombëtarisht.
Fjala është për dy vëllezër shqiptarë, Rexhep dhe Xhevdet Rexhepi, që po ndërtojnë rrugë në fushën e orologjisë, duke u gdhendur ndër emrat më të kërkuar për orët, sidomos ato luksoze.
Së fundmi, ka qenë Rexhepi, ai i cili ka fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” në edicionin e vitit 2026 të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), i konsideruar si vlerësimi më i lartë në industrinë ndërkombëtare të orologjisë, shkruan Telegrafi.
Ora e tij, Chronograph Flyback është shpallur fitues i çmimit kryesor në ceremoninë e mbajtur në Gjenevë, e ky model, u veçua për shkak të formës së si u punua në detaje, për shkak të krijimtarisë dhe kreativitetit, por, edhe për shkak të mundit e fokusit që Rexhepi e dha në realizimin e kësaj ore.
Rexhepi mori edhe urime të shumta për këtë arritje të madhe.
Por, si nisi rrugëtimi i këtyre dy vëllezërve?
Gjatë kohës së luftës, njëri në moshën 11 vjeçare e tjetri si 8 vjeçar, në vitin 1998, ata kishin shkuar në Zvicër si refugjatë, të ikur nga një luftë e dhunshme që po ndodhte në vendlindjen e tyre, nga agresori serb.
Pastaj, në vitin 2004, Rexhepi si 17 vjeçar, ishte bashkuar në ekipin e Patek Phillipe, si praktikant, ku u njoh më shumë me industrinë por edhe si funksionon realizimi i këtij lloj arti.
Pastaj, në vitin 2012, kur ai ishte 25 vjeçar, hapi atelien e tij të parë, “Arkivia”.
Suksesi i tij doli më në pah në vitin 2018, kur ai fitoi çmimin GPHG në kategorinë “Orat e meshkujve”.
Ndërsa sot, Rexhepi njihet edhe si fitues i çmimit prestigjioz, Aiguille d’Or, shkruan Telegrafi.
Kurse, Xhevdeti, në moshën 21 vjeçare ishte bashkuar në ekipin e Patek Phillipe, si praktikant, ndërsa, në vitin 2015 iu bashkua atelies së vëllait të tij, Rexhepit.
Në vitin 2023, Xhevdeti u pavarësua, duke fokusuar karrierën në krijimet e tij personale në fushën e orëve.
Këta dy emra do vazhdojnë të qëndrojnë gjatë në histori të orologjisë, ndoshta si shqiptarët më të suksesshëm të kësaj fushe./Telegrafi/

