Pesë persona, mes tyre tre fëmijë dhe dy gra, kanë humbur jetën pasi një masiv rëre u shemb mbi çadrat ku strehoheshin familje palestineze të zhvendosura në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës.
Ngjarja ndodhi pas reshjeve të dendura të shiut dhe motit të keq që kanë përfshirë territorin palestinez, raporton Euronews.
Sipas Mbrojtjes Civile në Gaza, rrëshqitja e masivit ranor goditi çadrat në një qendër strehimi, duke zënë poshtë personat që ndodheshin brenda tyre. Ekipet e shpëtimit ndërhynë në vendngjarje, ndërsa u raportua edhe për persona të plagosur.
Stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pjesë të tjera të Gazës. Sipas autoriteteve lokale, rreth 70 mijë çadra janë përmbytur nga reshjet, duke lënë shumë familje pa kushte minimale jetese.
Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për përkeqësimin e situatës. Në raportin e publikuar më 9 nëntor, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) bëri të ditur se më shumë se 26 mijë familje kanë kërkuar ndihmë pasi strehimet ose sendet e tyre personale janë dëmtuar nga moti i keq.
Shumë palestinezë vazhdojnë të jetojnë në çadra dhe strehime të improvizuara, të cilat ofrojnë pak mbrojtje nga reshjet dhe erërat e forta.

