Unaza e Jashtme e Prishtinës, e premtuar ndër vite si zgjidhje për lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të kryeqytetit, vazhdon të mbetet projekt në pritje të realizimit. Një hap drejt tij është bërë me përfshirjen në planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitet 2027–2029, por mbeten të hapura çështjet e financimit, shpronësimeve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Unaza e Jashtme e Prishtinës, e cila synon ta lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të shkarkojë kryeqytetin nga kolonat e gjata, vazhdon të mbetet projekt në pritje të realizimit, ndonëse për të është folur tash e shumë vite.
Një zhvillim i ri është përfshirja e tij në planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitet e ardhshme.
Për vitin 2027, Qeveria ka paraparë ndarjen e 1 milion eurove, për vitin 2028 – 10 milionë euro, ndërsa për vitin 2029 – 50 milionë euro.
Në Komunën e Prishtinës e kanë vlerësuar si shenjë pozitive përfshirjen e projektit në planifikimet buxhetore të Qeverisë, por thonë se mjetet e parapara nuk janë të mjaftueshme për realizimin e tij.
"Unaza e Jashtme e Prishtinës është një projekt madhor infrastrukturor, me rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët e Prishtinës, por edhe për të gjithë Kosovën. Duke pasur parasysh përmasat dhe koston e këtij projekti, është e qartë se vlera e investimit tejkalon buxhetin e planifikuar nga Ministria për vitin 2027. Për realizimin e plotë të tij nevojitet një mbështetje më e gjerë financiare, përfshirë mundësinë e financimit përmes kredive dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, marrëveshje e cila ende nuk është konkretizuar", thotë Zyhrije Pllana, drejtoreshë e investimeve kapitale.
Në anën tjetër, nga opozita në Prishtinë thonë se për Unazën e Jashtme është folur vazhdimisht gjatë qeverisjes së Përparim Ramës, por se Komuna nuk e kishte përfshirë projektin në buxhetet e viteve paraprake.
"Qe 5 vite në qeverisje z. Rama e ka përmendur Unazën e Jashtme të qytetit, por asnjëherë nuk e ka vendosur si pjesë të buxhetit për vitet në të cilat ka qeverisur. Tani e kemi parë që Qeveria e ka futur në projektbuxhet. Janë të ndara për vitin e parë 1 milion, vitin e dytë më duket 13 milionë dhe vitin e tretë 50 milionë. Tashmë është e qartë se Unaza e Jashtme do të bëhet me buxhet të Republikës së Kosovës. Uroj që Komuna ta bëjë pjesën e vet për shpronësimin e pronave", thotë Gëzim Sveçla, asamblist i LVV-së.
Kritika ndaj qeverisjes komunale ngre edhe Bekim Salihu nga Instituti GAP. Ai thotë se në Komunën e Prishtinës ka mungesë të planeve konkrete urbane.
"Po flasim për mangësi serioze që i ka Komuna e Prishtinës për hartimin dhe finalizimin e planeve konkrete urbane, të cilat i mundësojnë zhvillim dhe qartësi në lidhje me atë se çfarë planifikohet", thotë Bekim Salihu, nga Instituti GAP.
Unaza e Jashtme e Prishtinës, e planifikuar të ketë gjatësi prej rreth 23 kilometrash, synon të krijojë një lidhje alternative rrugore përreth kryeqytetit dhe të lehtësojë trafikun, duke u mundësuar automjeteve të qarkullojnë pa pasur nevojë të kalojnë nëpër qendrën e qytetit./rtk

