Juventusi ka intensifikuar kontaktet për të rikthyer Federico Chiesën në Torino, duke shqyrtuar një propozim të ri drejtuar Liverpoolit që mund të zhbllokojë negociatat e bllokuara mes palëve.
Sipas burimeve pranë klubit, bardhezinjtë po përgatisin një ofertë në formën e huazimit me të drejtë blerjeje, e cila do të shndërrohej në detyrim nën kushte të caktuara.
Kjo formulë synon të mbrojë interesat e të dyja klubeve dhe të lehtësojë finalizimin e marrëveshjes.
Megjithatë, Liverpooli mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, duke u shprehur i hapur vetëm për një transferim të përhershëm dhe për një shifër të konsiderueshme.
Situata e Chiesës në “Anfield” nuk është aspak ideale.
Sulmuesi anësor, i cili po has vështirësi për të gjetur hapësira, qëndroi 90 minuta në stol në barazimin pa gola të Liverpoolit ndaj Arsenalit të enjten, një sinjal i qartë i rolit të tij të reduktuar nën drejtimin e trajnerit Arne Slot.
28-vjeçari u largua nga Juventusi drejt Liverpoolit 18 muaj më parë, por një rikthim në Serie A dhe te bardhezinjtë mbetet një skenar i mundshëm, nëse klubet arrijnë të afrojnë qëndrimet për vlerësimin e kartonit të tij gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/