KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

PRISHTINA 2030: Test Pjekurie Shtetërore, Jo Improvizimesh

PRISHTINA 2030: Test Pjekurie Shtetërore, Jo Improvizimesh

Autor: Ernest Ferizi, Arkitekt

Më pak se katër vjet na ndajnë nga Lojërat Mesdhetare 2030. Në politikë, katër vjet mund të duken si një horizont i largët. Në planifikim, projektim dhe ndërtim, ato janë një afat alarmues. Në fakt, për shumë prej projekteve që duhet të realizohen, koha për të vepruar nuk është sot. Ka qenë dje.

Historia e ngjarjeve sportive ndërkombëtare na mëson një rregull të thjeshtë: afatet nuk negociohen me optimizëm politik. Ato respektohen me punë. Volosi dhe Larisa në Greqi e humbën organizimin e Lojërave Mesdhetare 2013 sepse nuk arritën të përmbushnin obligimet organizative dhe financiare. Lojërat u transferuan në Mersin të Turqisë. Askush nuk priti që problemet të zgjidheshin. Askush nuk dha afat shtesë.

Kosova nuk duhet ta trajtojë Prishtina 2030 si një projekt që mund të shpëtohet në minutën e fundit. Fatkeqësisht, pikërisht kjo kulturë ka shoqëruar shumë iniciativa publike në vend. Fillojmë me entuziazëm, vazhdojmë me vonesa dhe përfundojmë duke kërkuar fajtorë kur koha ka mbaruar.

Debati publik shpesh dominohet nga çështje simbolike: emra stadiumesh, ceremonia hapëse, deklarata politike apo gara meritash. Por këto janë pjesa më e lehtë e procesit. Infrastruktura reale nuk ndërtohet me konferenca për shtyp. Ajo ndërtohet me projekte të detajuara, vendimmarrje të shpejtë, financim të garantuar dhe menaxhim profesional.

Sot rreziku nuk është mungesa e ekspertëve. Kosova ka arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, menaxherë projektesh dhe partnerë ndërkombëtarë të aftë për ta realizuar këtë mision. Problemi kronik që vazhdon të na përcjellë është diçka tjetër: kultura e shtyrjes së vendimeve dhe reagimi vetëm kur kriza bëhet e pashmangshme.

Asnjë projekt madhor nuk dështon papritur. Dështimi ndërtohet gradualisht, muaj pas muaji, përmes prioriteteve të paqarta, mungesës së koordinimit dhe vendimeve që shtyhen vazhdimisht. Kur institucionet humbin kohë në fillim, zakonisht përpiqen ta blejnë atë më vonë me para shtesë. Rezultati është i njohur: kosto më të larta, cilësi më e dobët dhe presion ekstrem mbi afatet.

Prishtina 2030 duhet të menaxhohet si program kombëtar dhe jo si projekt administrativ i zakonshëm. Çdo objekt sportiv, çdo rrugë, çdo hapësirë publike dhe çdo investim shoqërues duhet të ketë kalendar të detajuar realizimi, ekip përgjegjës dhe mekanizma të vazhdueshëm monitorimi. Përgjegjësia duhet të jetë e identifikueshme. Kur gjithçka është përgjegjësi e të gjithëve, në fund nuk mban përgjegjësi askush.

Po aq e rëndësishme është të mendohet për ditën pas Lojërave. Stadiumet dhe objektet sportive nuk duhet të bëhen monumente të shtrenjta të një muaji gare. Çdo investim duhet të ketë funksion ekonomik, social dhe sportiv për dekadat që vijnë. Suksesi i vërtetë nuk do të matet vetëm me organizimin e ngjarjes, por me vlerën që infrastruktura do t’u sjellë qytetarëve pas vitit 2030.

Prishtina 2030 është ndoshta testi më serioz i kapacitetit institucional të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Kjo nuk është vetëm sfidë sportive. Është provë e aftësisë sonë për të planifikuar, koordinuar dhe përfunduar projekte komplekse sipas standardeve ndërkombëtare.

Në fund, historia nuk do të kujtojë fjalimet, konferencat apo fotografitë ceremoniale. Do të kujtojë nëse Kosova i mbajti apo jo premtimet që dha. Reputacioni i një shteti ndërtohet pikërisht në këto momente.

Prandaj pyetja nuk është nëse mund t’i organizojmë Lojërat Mesdhetare 2030.

Pyetja është nëse kemi vullnetin institucional të lëmë mënjanë kulturën e improvizimit dhe të punojmë me disiplinën që kërkon një projekt i këtij niveli.

Kosova ka përpara provën e saj më të madhe. Koha për të vepruar është sot;  E nesërmja është thjesht një luks për ata që ende nuk e kanë kuptuar rrezikun e madh të dështimit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.