Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë për vonesat në realizimin e projektit për ndërtimin e Fabrikës së Municionit në Gjakovë.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka rikujtuar se marrëveshja për ndërtimin e kësaj fabrike ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2024, por sipas tij, deri në fillim të nëntorit 2026 nuk kishin nisur punimet në terren.
Ai ka pretenduar se vetëm pas ngritjes së kësaj çështjeje në Kuvend dhe reagimit të opinionit publik, është bërë e ditur se punimet për ndërtimin e fabrikës kanë filluar.
“Veç presioni publik i fut në lëvizje këta qeveritarë. Në dhjetor 2024 kanë bërë marrëveshjen për Fabrikën e Municionit. Deri në fillim të nëntorit 2026, asnjë tullë nuk e kanë vënë”, ka shkruar Ramadani.
Deputeti ka thënë se këtë çështje e kishte ngritur edhe përmes diskutimeve dhe pyetjeve parlamentare.
Tutje, ai ka paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për vonesat dhe çdo veprim apo mosveprim lidhur me këtë projekt.
“Do t’i mbajmë përgjegjës për secilin veprim e mosveprim. Do të japin llogari për të metat!”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/

