Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një punëtori njëditore me kryetaret e Gruas për Vetëvendosje (GVV) nëpër qendra dhe anëtaret e Kryesisë së GVV-së.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se gjatë punëtorisë kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike, pozitën e grave në shoqëri dhe sfidat në avancimin e barazisë gjinore.
“Me kryetaret e GVV-së nëpër Qendra dhe anëtaret e Kryesisë së GVV-së, u mblodhëm sot në një punëtori njëditore, ku zhvilluam diskutime të përbashkëta mbi zhvillimet aktuale politike, pozitën e grave në shoqëri dhe sfidat që vazhdojnë ta përcjellin avancimin e barazisë gjinore”, shkroi Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në të gjitha fazat e organizimit dhe vendimmarrjes.
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe procesit të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilin po hyjmë. Analizuam aspektin organizativ, rolin dhe shtrirjen e GVV-së në këtë proces, si dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në të gjitha fazat e organizimit dhe vendimmarrjes”, potencoi ajo.
Haxhiu ka theksuar se fuqizimi i grave nuk lidhet vetëm me përfaqësimin numerik, por edhe me mundësinë për të marrë përgjegjësi dhe për të ndikuar në proceset politike e organizative.
“Besojmë se fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje përfaqësimi numerik, por edhe mundësi reale për të kontribuar, për të marrë përgjegjësi dhe për të ndikuar në drejtimin e proceseve politike e organizative. Për këtë arsye, angazhimi ynë duhet të reflektohet në krijimin e hapësirave të barabarta, në mbështetjen e njëra-tjetrës dhe në ndërtimin e mekanizmave që garantojnë pjesëmarrje aktive të grave në çdo nivel”, perfundoi Haxhiu.

