Policia e Kosovës ka ndëshkuar katër shoferë në Ferizaj, të cilët janë kapur duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Sipas njoftimit të Policisë, rastet kanë ndodhur në rrugët “Brahim Ademi” dhe “Remzi Hoxha”, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar katër drejtues automjetesh dhe i kanë testuar me alkooltest.
Nga rezultatet e testimit, shoferi me inicialet A.L., 54 vjeç, ka rezultuar me 1.73 promilë alkool në gjak. Ai është dënuar me 400 euro gjobë, tri pikë negative dhe nëntë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Ndërkaq, J.M., 49 vjeç, ka rezultuar me 1.44 promilë alkool dhe është dënuar me 300 euro gjobë, dy pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Edhe shoferi SH.SH., 25 vjeç, ka rezultuar me 1.19 promilë alkool në gjak, për çka është dënuar me 300 euro gjobë, dy pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Kurse L.A., 56 vjeç, ka rezultuar me 0.63 promilë alkool dhe është dënuar me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe tre muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Në fund, Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Sipas Policisë, veprime të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e shoferëve dhe sigurinë e qytetarëve të tjerë.

