Franca përgatitet për një tjetër ditë protestash masive. Qeveria franceze ka vendosur të angazhojë 70 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë vendin të shtunën, më 7 nëntor, ndërsa lëvizja e protestave kundër kostos së jetesës dhe politikave qeveritare hyn në një fazë të re.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, konfirmoi të premten, më 6 nëntor, se autoritetet do të ruajnë nivelin e lartë të masave të sigurisë të zbatuara gjatë protestave të mëparshme.
Sipas ministrit, rreziku i përplasjeve dhe incidenteve mbetet i njëjtë me atë të të shtunave të kaluara, kur në disa qytete franceze pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Protestat e reja janë paralajmëruar nga organizata rinore dhe grupe të lëvizjes së Jelekëve të Verdhë, në vijim të mobilizimeve që nisën më 17 tetor.
Pakënaqësitë lidhen me rritjen e kostos së jetesës, fuqinë blerëse dhe kërkesat për ndryshime në politikat ekonomike e sociale të qeverisë.
Mobilizimi i së shtunës vjen menjëherë pas protestave dhe grevave kombëtare të 5 nëntorit, të cilat përfshinë punonjës, studentë dhe sindikata në dhjetëra qytete franceze.
Autoritetet franceze synojnë të garantojnë zhvillimin e protestave paqësore, por njëkohësisht kanë paralajmëruar masa të forta ndaj çdo përpjekjeje për dhunë apo shkatërrim të pronës./euronews.al

