Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), me ç’rast, nga drejtori Atdhe Hetimi, pranoi Raportin Vjetor të Punës.
Në këtë raport, kryeministri Kurti tha se janë të radhitura të arriturat mbresëlënëse, të cilat tregojnë se sa shumë ka pasur nevojë për këtë Institut, me të cilin organizatat e ndryshme, institucionet, komunat e Kosovës dhe qytetarët e Republikës, por edhe më gjerë, po bashkëpunojnë ngushtë.
Teksa foli për të arriturat e këtij instituti, përfshirë këtu edhe publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara të luftës me 13,195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000, kryeministri tha se databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen pas gjashtë muajsh.
“Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të Institutit, të cilin gjithashtu e vizitova kësaj radhe, përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë”, tha ai.
Kryeministri e falënderoi drejtorin Hetemi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur, në mënyrë që edhe ta kompensojnë kohën e humbur, por në të njëjtën kohe edhe brezave të ardhshëm t’ju lëmë sa më shumë trashëgimi të dokumentare mbi atë se çfarë u ka ndodhur prindërve e gjyshërve të tyre.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
U rikthyem në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për t’u takuar me drejtorin, Dr. Atdhe Hetemin, dhe njëkohësisht me stafin e tij me rastin e pranimit nga ta, unë si kryeministër, të raportit të punës, raportit njëvjeçar, që është hera e tretë që e marrë nga drejtori Hetemi, dhe ku janë të radhitura të arriturat mbresëlënëse, të cilat tregojnë se sa shumë ka pasë nevojë për këtë Institut, me të cilin organizatat e ndryshme, institucionet, komunat e Kosovës dhe qytetarët e Republikës, por edhe më gjerë se kaq, po bashkëpunojnë ngushtë.
Në fund të Korrikut, e kemi pasur publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara të luftës, me 13,195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000.
Databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen pas gjashtë muajsh, që i bie në fund të Janarit të vitit 2027.
Pastaj, është bërë edhe publikimi i vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese prestigjioze ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimi i konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare me mbi 200 pjesëmarrës për shkallën dhe gjykimet e dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Pastaj, është organizuar forumi me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të dekadës së viteve të ’90-ta, pra të shekullit të kaluar, dekadës së fundit, kur u paralajmërua gjenocidi i ri që do ta kryej Serbia pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Mandej, e kemi edhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me marrëveshje të ndryshme me institucione partnere. Në vitin e parë ka pas 7 marrëveshje, në vitin e dytë 10 marrëveshje dhe tash në vitin e tretë 21 marrëveshje, të trajnimeve profesionale të stafit në vende të ndryshme e për bashkëpunim për interes të ndërsjellë.
Është bashkëpunuar edhe me ambasadat dhe konsullatat e Kosovës për ta prezantuar ndërkombëtarisht punën e Institutit para opinionit botëror, pra krimet e kryera dhe dokumentimin që kemi bërë ne me ekspozita të ndryshme.
Pastaj, kemi pasur edhe mbledhjen e dëshmive dhe intervistimit të të mbijetuarve, me mbi 127 intervista të realizuara, nga rreth 1000 sosh sa janë të planifikuara në kuadër të projektit “Kujtesa e masakrave”. Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të Institutit, të cilin gjithashtu e vizitova kësaj radhe përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë.
Po krijohet, pra, një bazë e qëndrueshme dokumentare dhe shkencore për ruajtjen e të vërtetës historike. Por njëkohësisht edhe një arkiv tejet i vlefshëm për sistemin e drejtësisë, në veçanti për Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, të kërkohet përgjegjësia dhe të gjithë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve ndaj shqiptarëve, që janë bërë në kuadër të forcave të ndryshme të Serbisë, të udhëhequra nga regjimi i Millosheviçit, të gjykohen e të dënohen në Republikën tonë.
Tash është edhe mundësia që ata të dënohen në mungesë. Dhe besoj e keni vërejtur të gjithë se numri është duke u rritur nga viti në vit, i atyre që po akuzohen, gjykohen dhe dënohen.
Edhe njëherë e falënderoj drejtorin Atdhe Hetemi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur, në mënyrë që edhe ta kompensojnë kohën e humbur. Por, në të njëjtën kohë edhe brezave të ardhshëm t’ju lëmë sa më shumë trashëgimi të dokumentuar mbi atë se çfarë u ka ndodhur prindërve e gjyshërve të tyre.

