Kërcënimet me bomba, të shoqëruara me mesazhin “ora po ecën”, kanë shkaktuar ndërprerje të transmetimeve televizive dhe evakuime në disa televizione në Evropë të premten.
Kërcënimet u dërguan në adresë të transmetuesit publik irlandez RTÉ, televizionit britanik Sky, televizionit privat bullgar Nova TV dhe disa mediave të tjera, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sipas kompanive mediale, në asnjërin prej objekteve të prekura nuk u gjetën mjete shpërthyese. Në RTÉ, programet u zëvendësuan me muzikë dhe një mesazh të incizuar paraprakisht, ndërsa ndërprerja e transmetimit në disa raste zgjati deri në tri orë.
Në një email të pranuar nga Nova TV dhe RTÉ, kërcënuesit pretendonin se një pajisje shpërthyese ishte vendosur në ndërtesat e tyre.
“Ne duam që e gjithë bota të dijë për ne, prandaj njëri nga operativët tanë ka vendosur një pajisje shpërthyese në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas 45 minutash. Ora po ecën”, thuhej në mesazh.
Këto kërcënime vijnë pas një serie alarmesh të rreme për bomba në fluturime të ndryshme në Evropë, nga Serbia në Finlandë e Spanjë, të cilat ditëve të fundit kanë shkaktuar devijime të aeroplanëve, ulje emergjente dhe kontrolle të sigurisë. Deri më tani, në këto raste nuk janë gjetur eksplozivë.
Email-et e dërguara në RTÉ dhe Nova TV ishin nënshkruar me emrin Mikhail Andropov. Autori pretendonte se ishte njëri prej drejtuesve të grupit përgjegjës për kërcënimet e kësaj jave ndaj aeroplanëve.
“Por kjo është vetëm fillimi. Ajo që ndodhi këtë javë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që e pret Evropën në të ardhmen e afërt”, thuhej më tej në mesazh.
Emri i përdorur në email ka të njëjtin mbiemër me atë të Yuri Andropovit, ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Edhe titulli i emailit, “Mesazh për Perëndimin”, ngjante me titullin e një biografie për Andropovin, “Sfidë e re për Perëndimin”.
Megjithatë, nuk dihet nëse këto referenca kanë ndonjë lidhje me përfshirjen e Rusisë apo nëse janë përdorur për të drejtuar dyshimet drejt Moskës.
Ndërkohë, policia ka ndërhyrë edhe në redaksinë e Nova TV-së në Sofje të Bullgarisë. Objekti është evakuuar dhe kontrolluar, ndërsa pas verifikimeve është vlerësuar i sigurt. Transmetimi nuk është ndërprerë dhe punonjësit janë kthyer në vendet e tyre të punës.
Deri më tani, autorësia e kërcënimeve të së premtes mbetet e paqartë.

