Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy përballjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, kundër Izraelit, dhe Republikës së Irlandës, ku në listë janë edhe tre emra të rinj.
“Dardanët” do të luajnë gjatë këtij muaji dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, ku fillimisht presin Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë dhe pastaj udhëton drejt Dublinit për ndeshjen e fundit ndaj Irlandës më 17 nëntor.
Për këto dy ndeshje, Foda ka zgjedhur t’i grumbullojë plotë 27 futbollistë, ku përveç ‘senatorëve’ të ekipit dhe lojtarëve të formacionit, nuk mungojnë as risitë.
Tri janë prurjet e reja te Kosova në këtë grumbullim, me emra si Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi, futbollistë për të cilët ka raportuar Telegrafi tash e një kohë të gjatë se do t’i bashkohen Dardanëve.
Por, kush janë këta futbollistë, ku luajnë dhe për kë luajtën para se ta zgjedhin Kosovën, Telegrafi do t’ju njoftojnë me anë të një profili për secilin.
Lindrit Kamberi, kapiteni i Zurichut që pas Zvicrës zgjedh Kosovën
Lindrit Kamberi është njëri prej emrave më të spikatur në listën e re të Kosovës. Mbrojtësi 27-vjeçar vjen pas një periudhe të mirë te FC Zurich, ku është shndërruar në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës dhe këtë sezon ka bartur edhe shiritin e kapitenit.
I lindur më 7 tetor 1999 në Cyrih të Zvicrës, Kamberi është produkt i akademisë së FC Zurichut, ku është zhvilluar që nga moshat e reja. Ai ka kaluar nëpër grupmoshat U17, U18 dhe U19 të klubit zviceran, përpara se të niste rrugëtimin në futbollin profesionist.
Për të fituar përvojë, mbrojtësi ka qenë i huazuar te FC Wil dhe Winterthur, ndërsa më pas është rikthyer te Zurichu, klub me të cilin vazhdon të jetë i lidhur. Ai mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke i ofruar trajnerit Franco Foda më shumë alternativa në repartin mbrojtës.
Në nivel ndërkombëtar, Kamberi ka qenë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës U19 dhe U20, duke regjistruar shtatë paraqitje me këto grupmosha. Megjithatë, ai nuk ka debutuar me ekipin e parë të Zvicrës dhe tashmë ka vendosur që në nivelin senior ta përfaqësojë Kosovën.
Ftesa e parë nga Dardanët vjen pas paraqitjeve të mira në kampionatin zviceran dhe pas një pritjeje të gjatë për të veshur fanellën e vendit të tij.
Bleon Kurtulus, talenti i Malmo FF që vjen nga shkollat e futbollit suedez
Bleon Kurtulus është një prej emrave më premtues në listën e Kosovës. Mbrojtësi i lindur më 24 qershor 2007 në Halmstad të Suedisë, pavarësisht moshës së re, ka arritur të fitojë përvojë të rëndësishme në futbollin elitar suedez.
19-vjeçari është produkt i Halmstads BK, klub ku ka kaluar nëpër grupmoshat U16, U17, U19 dhe U21, përpara se të depërtonte në ekipin e parë. Debutimin në elitën e futbollit suedez e bëri në vitin 2024, kur ishte vetëm 16-vjeçar, ndërsa në sezonin pasues u shndërrua në një futbollist të rëndësishëm të skuadrës, duke regjistruar 28 paraqitje në kampionat.
Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re dhe në shkurt të vitit 2026 ai realizoi një hap të madh në karrierë, duke u transferuar te Malmo FF. Me gjigantin suedez nënshkroi kontratë pesëvjeçare, deri në vitin 2030, duke dëshmuar besimin që klubi ka në potencialin e tij.
Në aspektin ndërkombëtar, Kurtulus ka përfaqësuar Suedinë në disa grupmosha. Ai ka qenë pjesë e përfaqësueses U16, U17, U19 dhe U21, duke regjistruar gjithsej 35 paraqitje me ekipet e reja suedeze.
Tashmë, mbrojtësi me prejardhje nga Kosova ka vendosur ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare me Dardanët, duke qenë një investim për të tashmen dhe të ardhmen e repartit defensiv të përfaqësueses së Kosovës.
Enis Rexhepi, sulmuesi i Stuttgartit që po shkëlqen në Evropë dhe zgjedh Kosovën
Enis Rexhepi është një prej talenteve më interesantë që Kosova ka siguruar së fundmi. Sulmuesi i ri po kalon një periudhë fantastike me ekipet e Stuttgartit, ku me golat dhe paraqitjet e tij ka tërhequr vëmendjen në futbollin gjerman dhe në garat evropiane për të rinj.
Rexhepi është pjesë e akademisë së VfB Stuttgartit, ku ka kaluar nëpër grupmoshat U17 dhe U19. Ai ka nisur të fitojë përvojë edhe me ekipin e dytë të klubit, Stuttgart II, që garon në Ligën e Tretë gjermane, duke hedhur kështu hapat e parë drejt futbollit të seniorëve.
Sezoni aktual ka qenë veçanërisht mbresëlënës për të. Rexhepi ka realizuar gola të rëndësishëm në kampionatin U19 dhe në UEFA Youth League, ku është dalluar edhe në ndeshjet kundër kundërshtarëve të njohur evropianë. Paraqitjet e tij kanë bërë që të konsiderohet një prej futbollistëve me potencial të madh në akademinë e Stuttgartit.
Në dallim nga dy emrat e tjerë, Rexhepi ka pasur përvojë me përfaqësueset e Shqipërisë. Ai ka luajtur për Shqipërinë U17 dhe U18, ndërsa ka qenë edhe pjesë e grupit U19. Megjithatë, pas bisedimeve me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, talenti i Stuttgartit ka vendosur që në të ardhmen të përfaqësojë Kosovën.
Ky është një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen e Dardanëve, pasi bëhet fjalë për një futbollist të ri 18 vjeç që po zhvillohet në një prej akademive të njohura të futbollit gjerman dhe që tashmë ka nisur të lërë gjurmë edhe në arenën evropiane. /Telegrafi/

