Para 70 vitesh, nga malet e Rugovës, drejt Pejës zbriti një djalosh i vogël me emrin Bajram.
Ishte ende fëmijë kur nisi rrugëtimin e tij, pa e ditur se një ditë do të bëhej pjesë e historisë së një zanati të vjetër.
Pas shtatë dekadash pune, do të shndërrohej në mohikanin e fundit të një zeje në Kosovë.
Një zanat që dikur kishte jetë, zhurmë e duar të arta, sot po shuhet bashkë me kujtimet e brezave që e mbajtën gjallë.
Bajrami ka mbetur i vetmi. I fundit. Fatkeqësisht…
Në kohën kur gjithçka bëhet me nxitim, ai vazhdon të jetë po ai: pedant, i përpiktë, besnik ndaj punës dhe fjalës së dhënë.
Një esnaf i vjetër, nga ata që nuk e matin jetën me vite, por me punën që lënë pas.
Emisioni “Krejt Kapak” në Klan Kosova ka qëndruar në vizitë te Bajram Bardhaj, leshnurësi i fundit i Kosovës.
Te një njeri që për 70 vjet nuk ka ruajtur vetëm një zanat, por një copë të kujtesës sonë.
Dhe kur një ditë ai ta mbyll derën e punëtorisë së tij, kush do t’i hapë përsëri këto dyer?
Kush do t’i dëgjojë duart e tij duke punuar?
Fatkeqësisht, pas Bajramit, mund të mos mbetet askush.
Ndiqeni emisionin e plotë të realizuar nga gazetari dhe autori Milot Hasimja:

