Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ditë më parë ka njoftuar se që nga 1 nëntori do të fillojë kontrolli për bizneset që operojnë online.
Ministrja Mimoza-Kusari Lila, në një postim në Facebook ka shkruar, se të gjitha bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime online, duhet të përfundojnë regjistrimin dhe të pajisen me certifikatën e regjistrimit të biznesit deri më 31 tetor 2026.
“Nga 1 nëntori 2026, do të nisin kontrollet nga inspektorët përkatës ndaj bizneseve që operojnë online dhe kompanive postare, për të verifikuar dokumentacionin dhe zbatimin e kërkesave ligjore.Nuk mund të ketë konkurrencë të drejtë kur disa biznese i respektojnë rregullat, ndërsa të tjerat i shmangin ato.Formalizimi i tregtisë online mbron konsumatorët, garanton transparencë dhe krijon kushte të barabarta për të gjithë. Regjistrohuni me kohë. Ligji zbatohet për të gjithë, pa përjashtim” ka shkruar Kusari-Lila.
Por në detaje mbi këtë kontrollim tash e tutje nuk kanë dhënë nga ministria përkatëse.
Lajmi.net me këtë rast ka kontaktuar edhe Agjencinë Tatimore të Kosovës, nga ku u tha se ATK disponon të dhëna për tatimpaguesit e regjistruar sipas kodit NACE që ndërlidhet me tregtinë online, por këto të dhëna nuk përfaqësojnë numrin e përgjithshëm të subjekteve që shesin përmes internetit, pasi një pjesë e bizneseve mund të jenë të regjistruara në aktivitete të tjera, ndërsa mund të ketë edhe persona që ushtrojnë aktivitet online pa qenë të regjistruar.
Por, sipas të dhënave që posedon ATK, aktualisht janë mbi 660 tatimpagues të regjistruar në aktivitetin “Tregtia me pakicë me porosi nga shtëpia, përmes postës dhe internetit”.
Vetëm për periudhën janar–gusht 2026, këta tatimpagues kanë deklaruar 87.7 milionë euro qarkullim, krahasuar me 73.9 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2025, që paraqet rritje prej rreth 18.7%.
“Duke pasur parasysh se prioritet i ATK-së është rritja e përmbushjes vullnetare dhe edukimi sa më i madh i tatimpaguesve lidhur me proceset tatimore, kjo nënkupton më pak ndëshkime, por më shumë kontrolle. Siç mund të shihet edhe nga statistikat, gjatë periudhës janar–gusht 2026, ATK ka realizuar mbi 70 aktivitete të trajtimit të tatimpaguesve të kësaj kategorie. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, janë shqiptuar 14 gjoba, në vlerë totale prej mbi 6,800 eurosh”,thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Përpos kësaj sipas ATK-së gjatë vitit 2025, janë kryer mbi 50 aktivitete të trajtimit të kësaj kategorie, ndërsa janë shqiptuar 3 gjoba, në vlerë totale prej rreth 1,600 eurosh.
“Krahas këtyre, trajtimi i rasteve përfshin edhe aktivitete që synojnë përmbushjen e obligimeve tatimore, duke përfshirë regjistrimin dhe deklarimin e aktivitetit ekonomik.
ATK në vazhdimësi zhvillon analiza dhe aktivitete për identifikimin e personave dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitet ekonomik përmes platformave digjitale”.
Madje siç potencon ATK në kuadër të një analize të detajuar janë identifikuar mbi 500 raste për aktivitet ekonomik online.
“Analiza ka përfshirë si raste të personave që nuk kanë qenë të regjistruar, ashtu edhe raste të tatimpaguesve të regjistruar për të cilët janë identifikuar indikacione për mos deklarim të aktivitetit.Rastet e identifikuara janë përcjellë për trajtim të mëtejshëm, duke përfshirë edhe aktivitete informuese dhe nxitjen e përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore”.
Gjithashtu, ATK e vlerëson si tejet të rëndësishëm bashkëpunimin ndërinstitucional, veçanërisht me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MiNT), e cila së fundmi u ka bërë thirrje bizneseve që ushtrojnë këtë veprimtari që të formalizojnë aktivitetin e tyre.
Afati i fundit për t’u regjistruar dhe për t’u pajisur me certifikatë ishte 31 tetor 2026.Sipas të dhënave të deritanishme inspektimet përfshijnë bizneset që shesin produkte ose ofrojnë shërbime përmes internetit, si dhe kompanitë postare.
Nga dokumentacionet tanimë të kërkuara arrihet të verifikohet nëse bizneset posedojnë certifikatë të regjistrimit nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe numër fiskal nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Kurse bizneset që operojnë pa u regjistruar apo pa i plotësuar obligimet ligjore rrezikojnë gjoba dhe masa ndëshkimore nga shteti./Lajmi.net/

