Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se më 5 nëntor ka përfunduar me sukses trajnimi me temën “Përdorimi i mjeteve themelore për shuarjen e zjarrit”, i organizuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Në këtë trajnim morën pjesë 25 zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Vushtrri.
Sipas AME-së, trajnimi përfshiu pjesën teorike dhe praktike, duke u mundësuar pjesëmarrësve të fitojnë njohuri dhe aftësi për përdorimin e pajisjeve për shuarjen e zjarrit dhe reagimin e duhur në situata emergjente.
Gjatë ushtrimeve praktike, zyrtarët demonstruan përdorimin e aparateve për shuarjen e zjarrit në situata të simuluara, me qëllim rritjen e gatishmërisë për ndërhyrje të sigurt dhe efektive.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka theksuar se trajnimet e tilla janë të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e kulturës së parandalimit dhe sigurisë.
“Parandalimi, përgatitja dhe reagimi profesional janë tri shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës”, thuhet në njoftimin e AME-së.
Në fund, agjencia ka përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit për përfundimin e suksesshëm të trajnimit, duke i falënderuar për bashkëpunimin.

