Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij, duke ngritur dyshime për keqmenaxhim të buxhetit, korrupsion dhe dështim në sektorin e energjisë.
Në një paraqitje në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Gjini ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Qeveria po i menaxhon financat publike, duke përmendur edhe mungesën e mjeteve për përfundimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë autostradat brenda vendit, transmeton lajmi.net.
Ai është ndalur veçanërisht te sektori i energjisë, për të cilin ka pretenduar se situata është përkeqësuar qëllimisht dhe se qytetarët po përballen me pasoja të një keqmenaxhimi të madh.
Gjini ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Kurti, duke e bërë atë përgjegjës për situatën në këtë sektor.
“Albin Kurti ose është totalisht i paaftë mendërisht, ose është kapo. Nuk ka mes këtu, se nuk munden me vjedh të gjithë, e ai mos me ditë”, ka deklaruar Gjini.
Kreu i AAK-së ka paralajmëruar gjithashtu se Kosova mund të përballet me një krizë serioze energjetike gjatë dimrit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përgatiten për një situatë të vështirë.
Sipas tij, vendi mund të detyrohet të shpenzojë qindra miliona euro nga buxheti për të siguruar energji elektrike, ose të përballet me vështirësi në furnizim.
“Kosova sivjet ka me hy në kolaps energjetik. Po i paralajmëroi qytetarët e Kosovës. Ose kemi me dhënë qindra miliona euro prej buxhetit, ose nuk kemi me pas mundësi të furnizohemi me energji, se nuk i kanë kry punët. Nëse niveli i korrupsionit mbërrin në atë shkallë që nuk zbatohen projektet hiq, atëherë jemi ka flasim për kolaps”, ka thënë ai.
Gjini ka përmendur edhe tenderët për projektet në termocentralin Kosova B, për të cilët ka pretenduar se kanë dështuar qëllimisht gjatë muajit qershor.
Ai ka thënë se për këtë çështje kishte ngritur shqetësime edhe më herët, ndërsa ka përsëritur paralajmërimin për vështirësitë që, sipas tij, mund ta presin vendin gjatë sezonit të dimrit.
“Në qershor i kanë dështuar me qëllim tenderat në Kosova B, e kam paralajmëruar para një muaji e gjysmë për këtë temë. Po i paralajmëroi qytetarët e Kosovës, bëhuni gati për dimër”, ka deklaruar kryetari i AAK-së.
Deri më tani, në deklaratat e tij, Gjini ka lidhur rrezikun e krizës energjetike me atë që e konsideron mungesë të përgatitjeve dhe dështim të projekteve nga ana e Qeverisë Kurti./lajmi.net/

