KORREKT / SOT5 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

BE-ja ndan pothuajse 1 miliard euro për mbështetjen e sektorit energjetik të Ukrainës gjatë dimrit

BE-ja ndan pothuajse 1 miliard euro për mbështetjen e sektorit energjetik të Ukrainës gjatë dimrit

Bashkimi Evropian ka alokuar pothuajse 1 miliard euro për të mbështetur sektorin energjetik të Ukrainës këtë dimër.

Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, e bëri të ditur këtë në një intervistë për agjencinë “Ukrinform”, përcjell Telegrafi.

“Energjia është një fushë të cilës i kemi kushtuar vëmendje të jashtëzakonshme dhe burime të mëdha financiare. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë, kemi shpenzuar rreth 4 miliardë euro për energjinë, ndërsa paketa për këtë dimër kap vlerën e pothuajse një miliard eurove”, ka thënë diplomatja.

Sipas saj, ndihma mbulon një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë mbështetjen për likuiditetin e kompanive kryesore energjetike, siç është “Ukrenergo”, si dhe ndihmë për blerjen e gazit.

Përveç kësaj, BE-ja po financon zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetin energjetik, po ndihmon në riparimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar ose të shkatërruar, si dhe po forcon mbrojtjen pasive të objekteve energjetike.

Një komponent tjetër i rëndësishëm i ndihmës për dimrin është dimensioni i saj humanitar.

Sipas diplomates, BE-ja po ofron mbështetje financiare për familjet në nevojë që jetojnë pranë vijës së frontit.

Gjithashtu, Ukraina ka marrë tashmë më shumë se 11,000 gjeneratorë dhe pajisje të tjera. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.