Ish-shefi i Stafit të Hashim Thaçit, Bekim Çollaku, në një rrëfim ka treguar për momentet e konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe për atë se si e kishte përjetuar vetë ai, stafi në Presidencë dhe Hashim Thaçi.
Çollaku ka thënë se kanë pasur informacione paraprakisht për aktakuzën, derisa tregon se atë zyrtarisht ia ka thënë Hashim Thaçit shefi i EULEX-it.
“Ne kemi pasur informacion që aktakuza ishte konfirmuar. E kemi pasur edhe unë edhe presidenti. Para se të vinte shef i EULEX-it”, ka thënë Çollaku në emisionin Frontal, në T7.
“Kemi qenë të përgatitur që mund të ndodhte. Nga mënyra se si ishte bërë publike, nënkuptonte që tashmë gjithçka ishte përgatitur”, ka shtuar ai.
Çollaku ka rrëfyer edhe për ditën e gjatë të 4 nëntorit kur i ishte konfrimuar aktakuza dhe për përgatitjet që po bëheshin për udhëtimin e Thaçit drejt Hagës me datën 5 nëntor 2020.
Ai ka thënë se kishin qëndruar deri në orët e para të mëngjesit bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Çollaku thotë se edhe në ato momente, Hashim Thaçi kishte qëndruar i qetë dhe me racionalitet në mendime për atë se si duhej të ecej tutje.
“Kam qenë në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 5. Ishte e habitshme qetësia. Një përmbajtje absolute. Gjakftohtësi e ruajtje e racionalitetit në mendime për atë se si duhet ecur tutje”, ka thënë Çollaku.

