Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara gjatë kontrollit doganor në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.
Në këtë pikë kufitare janë paraqitur për kontroll disa kamionë të ngarkuar me automjete, për të cilët paraprakisht ishin paraqitur deklaratat përkatëse për procedurën e zhdoganimit.
Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit, si dhe harmonizimit të të dhënave të deklaruara me gjendjen faktike të mallrave, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se, ndonëse pesha e ngarkesës përputhej me atë të deklaruar, në dokumentacion nuk ishte përfshirë një pjesë e mallit, përkatësisht sistemi i shkallëve rrëshqitëse për kabinën e automjeteve.
Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, është vlerësuar në rreth 27,000 euro.
Rasti është duke u trajtuar nga Dogana e Kosovës në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në pajtim me dispozitat përkatëse të Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës rikujton se deklarimi i saktë dhe i plotë i të gjitha mallrave është obligim ligjor për të gjithë pjesëmarrësit në procedurat doganore. Çdo mospërputhje ndërmjet të dhënave të deklaruara dhe gjendjes faktike të mallrave i nënshtrohet verifikimit dhe trajtimit nga autoritetet doganore.

