Eder Militao është rikthyer në formacionin e Real Madridit, por deklarata e tij pas fitores ndaj AEK Athinës ka ngritur shqetësime për gjendjen fizike të mbrojtësit brazilian.
Futbollisti 28-vjeçar ishte titullar dhe luajti të gjitha 90 minutat në triumfin 3:2 të skuadrës së Jose Mourinhos në Athinë. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të, pasi kishte kaluar gjashtë muaj jashtë fushave për shkak të një lëndimi.
Pas ndeshjes, Militao nuk e fshehu se ende po përballet me dhimbje, ndonëse ishte i lumtur që më në fund arriti të luante një takim të plotë.
“Ndjehem mirë, por po vuaj nga dhimbje të forta. Jam i lumtur që jam rikthyer dhe mund të bëj atë që dua. Pas gjashtë muajsh jashtë fushave, arrita të luaj 90 minuta”, deklaroi ai.
Jose Mourinho gjithashtu pranoi se aktivizimi i brazilianit nga fillimi përbënte një rrezik të vogël, duke pasur parasysh mungesën e gjatë.
Megjithatë, trajneri portugez vlerësoi se Militao u përmirësua gjatë ndeshjes dhe në fund zhvilloi një paraqitje shumë të mirë.
Mbrojtësi foli edhe për situatën e Vinicius Junior, i cili po përballet me vështirësi për të shënuar gola.
“Ai është një person gjithmonë optimist. Gjërat nuk po shkojnë siç dëshiron, por vazhdon të punojë pa u ndalur. Mendoj se të gjithë e vërejnë përpjekjen e tij, edhe pse golat nuk po vijnë”, tha Militao. /Zëri

