Një pacient që jetonte jashtë Kosovës kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë mjekësore për problemet me shikimin, por ekzaminimet e mëparshme tregonin se ai shihte mirë. Megjithatë, shqetësimet e tij vazhdonin.
Oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi ka rrëfyer se pas një kontrolli më të detajuar, pacienti ishte diagnostikuar me keratokonus, një sëmundje që prek kornenë e syrit.
E ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga Qendra laserike e syrit “Kubati” dhe United Hospital, oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi ka ndarë një rast nga përvoja e saj profesionale, duke treguar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve të syrit.
Ajo ka shpjeguar se bëhej fjalë për një pacient që jetonte jashtë vendit dhe kishte ardhur për konsultë në Qendrën Laserike të Syrit Kubati.
Sipas saj, edhe pse rezultatet e ekzaminimeve të zakonshme tregonin se pacienti kishte shikim të mirë, ai vazhdonte të ankohej se diçka nuk ishte në rregull.
“Një pacient i cili jetonte jashtë, vjen veç për një konsultë në klinikën tonë. Unë e konstatoj që shikimin e ka goxha mirë, ama pacienti ka ankesa gjithsesi”, ka rrëfyer Gjini-Bytyqi.
Ajo ka treguar se pacienti u kishte shpjeguar edhe mjekëve jashtë vendit se nuk po shihte si më parë, por nuk kishte pasur ndryshime të dukshme në matjet e dioptrisë.
“Unë i kam thënë mjekëve atje që nuk po shoh mjaftueshëm, por ata po shohin që po shoh 100 për qind dhe nuk po ma bëjnë ndonjë ndryshim në dioptri”, ka cituar oftalmologia fjalët e pacientit.
Megjithatë, gjatë konsultës, ajo kishte dyshuar se shqetësimet e tij nuk lidheshin domosdoshmërisht me dioptrinë.
“I tregova pastaj që nuk është puna te dioptria, se dioptria faktikisht nuk ka ndryshuar në bazë të matjeve. Mirëpo, është diçka tjetër që ty po ta jep këtë pengesë në shikim”, ka shpjeguar ajo.
Pas vlerësimit, pacientit i ishte konstatuar keratokonusi, një sëmundje që shkakton hollimin dhe deformimin gradual të kornesë, duke ndikuar në cilësinë e shikimit.
“Është një sëmundje që quhet keratokonus. Kërkon trajtim. Shumë mirë që ne e kemi kapur në stadin e hershëm dhe tash ne do ta trajtojmë”, ka treguar Gjini-Bytyqi.
Oftalmologia ka theksuar se zbulimi i hershëm i sëmundjes ishte vendimtar për trajtimin e pacientit.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com

