Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj tre personave, të dyshuar për shitjen e paautorizuar të më shumë se 110 armëve të zjarrit, të cilat dyshohet se ndodheshin në depon e një poligoni të licencuar në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet V.C. dyshohet se nga fillimi i tetorit 2026 deri më 30 tetor të këtij viti, në poligonin e armëve “T…”, ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri te dy persona të tjerë, me inicialet D.P. dhe L.U., të cilët aktualisht ndodhen në arrati.
Pas shitjes së armëve, sipas dyshimeve të Prokurorisë, V.C. e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët ishin vjedhur.
Ndaj V.C. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa Prokuroria ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Gjakovë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Hetimet kanë nisur edhe ndaj D.P. dhe L.U., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Ndërkaq, V.C. dyshohet edhe për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, sipas nenit 382, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me vendndodhjen e armëve apo me veprimet e mëtejshme hetimore./Telegrafi/

