Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në një apartament në qytetin e Elbasanit pas orës 14:00 të ditës së sotme, duke lënë një të vdekur dhe 10 të tjerë të asfiksuar.
Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e shpërthimit, raportohet se janë shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit.
Siç ka njoftuar policia, viktimë e këtij rasti ka mbetur një grua 82-vjeçare, e cila jetonte në apartamentin ngjitur.
Menjëherë pas ngjarjes, ka nisur evakuimi emergjent i banorëve të ndërtesës, ka raportuar në ndërkohë Top Channel.
Forcat zjarrfikëse raportohet se ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur nxjerrjen e banorëve, duke ndërhyrë përmes shkallëve të emergjencës së zjarrfikësve.
E gjithë ndërtesa është evakuuar, ndërsa 10 persona kanë mbetur të asfiksuar si pasojë e ngjarjes, por që mësohet se të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës ende nuk kanë mundur të hyjnë në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, pasi aty vijon të ketë zjarr.
Në vendngjarje vijojnë operacionet e emergjencës, ndërsa priten të dhëna të tjera për shkaqet dhe pasojat e shpërthimit. /Klankosova.tv

