Me fitoren historike të demokratëve në të dy dhomat e Kongresit, fillon edhe fundi politik i Donald Trumpit. Por mund të jetë një fund me dhimbje, sepse ai s’ka më çfarë të humbë dhe mund të bëhet edhe më i paparashikueshëm.
Për demokratët, bashkë me përgjegjësinë, duhet të rritet edhe maturia. Kandidatët polarizues mund ta dëmtojnë Partinë Demokratike, e cila ka një imazh po aq të keq sa Trumpi. Këtë e tregojnë anketat.
1.
Aleluja! Partia Demokratike arriti një fitore bindëse në zgjedhjet për Kongresin Amerikan, në mesin e mandatit të presidentit Donald Trump. Demokratët morën nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Kur i përjashtonte nga një shou televiziv kandidatët, Trumpi u thoshte: «You are fired». Këtë mesazh e mori tani nga qytetarët amerikanë. Shumica e votuesve tregoi se nuk pajtohet me politikat e Trumpit. Në planin e jashtëm, shumë amerikanë e hedhin poshtë luftën e Trumpit kundër Iranit; në planin e brendshëm, ata përballen me rritjen e kostos së jetesës, rënien e standardeve demokratike dhe korrupsionin masiv të klanit të Trumpit. Gjatë fushatës, Trumpi u tha votuesve se duhej të votonin sikur emri i tij të ishte në fletëvotim. Ai i shndërroi zgjedhjet në referendum – pro ose kundër Trumpit. Pas zgjedhjeve, Trumpi pohoi të kundërtën: tha se nuk kishte qenë ai në fletëvotim, por kandidatët republikanë. Ata i fajësoi. Dhe televizionin Fox News. Përherë dikush është fajtor. Por një gjë duhet pranuar: pavarësisht veseve dhe tabiateve të këqija, Trumpi e pranoi humbjen.
2.
Në Dhomën e Përfaqësuesve u zgjodhën të gjithë anëtarët – gjithsej 435. Republikanët e Trumpit e humbën qartë shumicën aty. Demokratët do të marrin kontrollin e kësaj dhome të Kongresit. Me shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mund të nisin hetime të gjera kundër presidentit duke filluar nga janari, kur parlamenti i ri i zgjedhur të mblidhet për herë të parë. Në Senat u zgjodh një e treta e anëtarëve (35 nga 100 ulëse). Edhe këtu republikanët humbën. Demokratët pritet të kenë 54 senatorë. Kjo është fitore historike.
3.
Me fitoren e demokratëve në të dy dhomat e Kongresit, fillon edhe fundi politik i Donald Trumpit. Por mund të jetë një fund me dhimbje, sepse ai s’ka më çfarë të humbë dhe mund të bëhet edhe më i paparashikueshëm. Për demokratët, bashkë me përgjegjësinë, duhet të rritet edhe maturia. Kandidatët polarizues mund ta dëmtojnë Partinë Demokratike, e cila ka një imazh po aq të keq sa Trumpi. Këtë e tregojnë anketat. Për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen pas dy vjetësh, demokratët do të bënin mirë të pajtoheshin për një kandidat që arrin të bindë edhe Amerikën (pak) më konservatore. Kjo nuk bëhet me kandidatë të ashtuquajtur progresivë, të cilët merren më shumë me çështjen nëse duhet të ketë në New York tualete për njerëzit që nuk ndihen as burra, as gra, sesa me hallet ekzistenciale të klasës së mesme amerikane. Barazia duhet të garantohet për të gjithë, por, përtej saj, duhet të ketë edhe një përparësi në trajtimin e çështjeve që mundojnë njerëzit të cilët deindustrializimi i ka lënë pa punë ose ka bërë që ta humbin dukshëm mirëqenien.
4.
Këto zgjedhje treguan edhe diçka tjetër: miliarderët dhe multimiliarderët mund të blejnë ndikim në opinionin publik, mund të ndikojnë me paratë e tyre edhe te një pjesë e elektoratit, por nuk mund ta blejnë vullnetin e qytetarëve. Elon Musk harxhoi 200 milionë dollarë për të mbështetur kandidatin republikan për Senat nga Teksasi, por nuk arriti asgjë. Fitoi demokrati James Talarico. Edhe më keq për republikanët: edhe guvernatore e këtij shteti do të jetë një demokrate – për herë të parë që nga viti 1995. Teksasi, kjo vatër e republikanëve, tani nuk qeveriset nga republikanët dhe as nuk përfaqësohet prej tyre në Senat. Teksasi pa republikanë është si Skenderaj pa një kryetar nga radhët e PDK-së. Ose si Gjurakoci pa LDK-në, ku kjo parti ka marrë 47 për qind të votave.
Por të kthehemi në Amerikë. Sipas gazetës britanike «Financial Times», pas këtyre zgjedhjeve nuk e përjetuan vetëm Elon Musk dhe Donald Trumpi një mbrëmje të keqe: «Ishte gjithashtu një mbrëmje katastrofale për komitetin dikur shumë të fuqishëm AIPAC (American Israel Public Affairs Committee), i cili shpenzoi shuma të mëdha parash për të mposhtur Abdul El-Sayedin në Michigan». El-Sayed fitoi, madje siguroi edhe votat e shumicës së votuesve hebrenj. Ai u sulmua brutalisht nga Trumpi, i cili u tall me emrin dhe prejardhjen e tij dhe e etiketoi si socialist. Por ajo që quhet socializëm në Amerikë, në Evropë është politikë e qendrës liberale. Bota perëndimore nuk është në rrezik nga komunizmi imagjinar, por nga papërgjegjësia e elitave politike ndaj njerëzve që çdo ditë luftojnë për mbijetesë.
5.
Partinë Republikane tani e pret një betejë e brendshme. A do të arrijë kjo parti e rëndësishme e demokracisë amerikane të emancipohet nga Trumpi dhe lëvizja e tij MAGA? Ende është herët të thuhet. Por nënpresidenti JD Vance duket se ka filluar ta humbë (pak) durimin. Ai e fajësoi luftën e Donald Trumpit në Iran për disfatën e thellë të republikanëve në zgjedhje. Edhe Trumpi e pranoi këtë pjesërisht, por tha se nuk pendohet që e nisi këtë luftë. Madje mund të thuhet se Trumpi, i nxitur nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi një luftë për të rrëzuar një regjim kriminal në Iran, por përfundoi duke humbur zgjedhjet në SHBA.
6.
Këto zgjedhje në SHBA treguan se një botë pa Trumpin dhe trumpizmin është e mundur – falë demokracisë. Vota demokratike e rrëzoi Viktor Orbanin në Hungari (pas 16 vjetësh në pushtet) dhe Aleksandar Vuçiqin në Serbi (pas 14 vjetësh në pushtet). Në Brazil humbi popullisti i djathtë Flávio Bolsonaro. Në Izrael, Benjamin Netanyahu humbi, por nuk u mposht; megjithatë, nuk arriti ta sigurojë shumicën. Mësimi kryesor nga këto zhvillime: pa mobilizim të përgjithshëm popullor, nuk ka ndryshim. Dhe ndryshimi nuk vjen nga jashtë.

