Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Blaj i ka uruar suksese ministres Rizvanolli në mandatin e saj, duke rikonfirmuar përkushtimin e Sllovenisë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kosovën.
Ai ka theksuar se funksionalizimi i plotë i institucioneve dhe stabiliteti politik krijojnë kushte të favorshme për avancimin e nismave të përbashkëta dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Bëhet e ditur se gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm, veçanërisht në fushën e tregtisë, si dhe janë diskutuar mundësitë për zgjerimin e tij në sektorë të tjerë, me theks të veçantë në energji.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar gjithashtu për organizimin e edicionit të dytë të “Slovenia-Kosovo Business Day”, i cili do të mbahet në fund të muajit nëntor.
Kjo ngjarje pritet të sjellë në Kosovë përfaqësues të kompanive sllovene dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, tregtinë, mjekësinë dhe energjinë.
Ministrja Rizvanolli e ka falënderuar ambasadorin për angazhimin e tij në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Ajo e ka njoftuar atë për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, përfshirë ankandet që janë duke u zhvilluar për kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli i ka ftuar kompanitë sllovene të marrin pjesë në ankandet e ardhshme, duke theksuar se Kosova po krijon mundësi të reja investimi në sektorin e energjisë së pastër dhe se ekspertiza e kompanive sllovene do të ishte e mirëpritur në këto procese. /Zëri

