Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vizituar të mërkurën Prokurorinë Themelore në Pejë, ku ka kërkuar trajtim me seriozitet, përgjegjësi dhe profesionalizëm të të gjitha rasteve penale, me theks të veçantë te rastet e dhunës në familje.
Nw njoftim bwhet e ditur se gjatë takimit me prokurorët e kësaj prokurorie, Gashi ka theksuar rëndësinë e vlerësimit të rrezikut, reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të viktimave.
Ai ka kërkuar vigjilencë dhe kujdes institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Gjatë vizitës, Gashi i ka njoftuar prokurorët edhe për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët synojnë përmirësimin e cilësisë së punës në sistemin prokurorial dhe mbrojtjen e integritetit e dinjitetit të prokurorëve.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se janë caktuar prokurorë mbikëqyrës në prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore në Pejë.
Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së kësaj prokurorie, Valbona Haxhosaj, dhe prokurorët e tjerë e kanë njoftuar Gashin për gjendjen e përgjithshme të institucionit, ngarkesën me lëndë dhe sfidat me të cilat përballen në funksionimin e përditshëm.
Në vizitë morën pjesë edhe zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, prokurori Ersan Qavolli, njëherësh Koordinator Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi. /Zëri

