Kampionati i futbollit në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë gjithnjë e më interesante, ndërsa Shkëndija vazhdon ta mbajë kreun e tabelës dhe t’i dëshmojë ambiciet e saj për titullin e kampionit.
Pas 12 xhirove të zhvilluara, kuqezinjtë renditen në vendin e parë me 27 pikë, të arritura nga 8 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje.
Me 26 gola të shënuar dhe 11 të pranuar, Shkëndija e ka ndërtuar një bilanc pozitiv dhe vazhdon të jetë në krye të garës për titull.
Por, sfida e radhës e sjell një përballje të drejtpërdrejtë mes dy skuadrave që i synojnë majat e futbollit vendor.
“Sfida e radhës po vjen”, shkruan Shkëndija në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale.
Shkëndija udhëton drejt Strugës për t'u përballur me ndjekësin e saj të parë, Struga T&L, që i ka 26 pikë, vetëm një më pak se skuadra tetovare.
Kjo e bën këtë takim edhe më të rëndësishëm në garën për kreun e tabelës.
Kuqezinjtë synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive, ta ruajnë pozitën e parë dhe ta bëjnë një tjetër hap drejt objektivit madhor – titullit të kampionit!
Përballë një kundërshtari direkt dhe në një udhëtim të vështirë, Shkëndija kërkon të tregojë karakter, përkushtim dhe forcën e një skuadre që beson në synimet e saj.
Të gjithë së bashku, drejt një tjetër rezultati pozitiv! /Zëri

