Fituesit e zgjedhjeve në Serbi duhet të punojnë për të rikthyer besimin e institucioneve evropiane, në mënyrë që vendi të dalë nga ngecja shumëvjeçare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, thotë komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, rikthimi i besimit dhe zbatimi i reformave do të mundësonin edhe zhbllokimin e fondeve që Komisioni Evropian i ka pezulluar, për shkak të regresit të Serbisë në fusha kyç.
“Gjëja e parë, dhe për mua shumë e rëndësishme, është ndërtimi i besimit. E di që ky është një term psikologjik, por ka rëndësi të madhe kur flasim për mbështetjen që shtetet anëtare do t’i japin procesit të anëtarësimit dhe për shpejtësinë me të cilën mund të përparojmë”, thotë Kos.
“Është e nevojshme që Serbia të ndërtojë besim ndaj shteteve anëtare dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi, por edhe ne të ndërtojmë besim ndaj qytetarëve të Serbisë. Këtë detyrë e marr shumë seriozisht dhe personalisht. Nëse hapat e parë përfshijnë zbatimin e reformave të nevojshme në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të mediave, si dhe luftën kundër korrupsionit, kjo do të krijonte mundësi për zhbllokimin e fondeve që kemi pezulluar”, shton ajo.
Sipas Kosit, këto reforma do të ndihmonin edhe në sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare të BE-së për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Serbia në të njëjtin grup me Turqinë dhe Gjeorgjinë
Në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian për zgjerimin, Serbia është renditur krahas Gjeorgjisë dhe Turqisë, si një nga vendet që kanë shënuar regres në procesin e integrimit evropian.
Për të dytin vit radhazi, Serbia ka shënuar përkeqësim në fusha kyç, përfshirë sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes.
Raporti mbulon periudhën nga fundi i shtatorit 2025 deri në fund të shtatorit 2026.
Për këtë arsye, vlerësimet pasqyrojnë punën e pushtetit të mëparshëm, të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), dhe nuk përfshijnë zhvillimet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Në këto zgjedhje, Lista Studentore shënoi fitore bindëse, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të SNS-së, e cila kaloi në opozitë.
Sa i përket përgatitjes për anëtarësim në BE, Serbia vazhdon të konsiderohet ndër vendet më të përgatitura kandidate.
Megjithatë, për nga përparimi i shënuar gjatë vitit të fundit, sipas vlerësimeve në Bruksel, ajo është “më afër Turqisë dhe Gjeorgjisë sesa Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen vendet që kanë përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE.
Në anën tjetër, negociatat e anëtarësimit me Turqinë janë të ngrira që nga viti 2018, ndërsa procesi i integrimit të Gjeorgjisë është ndalur në vitin 2024.
Në të dyja rastet, arsyeja lidhet me regresin në demokraci dhe sundimin e ligjit.
Serbia, e cila dikur konsiderohej ndër vendet udhëheqëse në procesin e anëtarësimit, tashmë ka mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit që synojnë integrimin në BE.
Serbia rrezikon të humbasë mbi 260 milionë euro nga Plani i Rritjes
Për shkak të regresit demokratik dhe politikave të pushtetit të mëparshëm, Komisioni Evropian ka pezulluar shpërndarjen e fondeve për Serbinë nga Plani i Rritjes i BE-së.
Nga 1.6 miliard euro të parapara për Serbinë në kuadër të këtij plani, deri më tani janë disbursuar vetëm rreth 168 milionë euro.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Serbia ka zbatuar rreth 46 për qind të reformave të përcaktuara në agjendën e saj të reformave.
Deri në fund të vitit, vendi pritet të humbasë përfundimisht mbi 260 milionë euro, për shkak të reformave që nuk janë zbatuar brenda afateve të caktuara. Këto mjete nuk mund të rikuperohen.
Ndryshe qëndron puna me fondet për reformat që Serbia i ka zbatuar, por që Komisioni Evropian nuk i ka disbursuar për shkak të vlerësimit se vendi ka shënuar regres demokratik.
Sipas Komisionit, këto fonde mund të zhbllokohen më vonë, nëse konstatohet se Serbia i ka përmbushur kushtet e kërkuara.
Brukseli thekson se ardhja e një qeverie të re nuk mjafton për lirimin e fondeve. Për këtë, Serbia duhet të zbatojë reformat e nevojshme.
Deri në përfundimin e Planit të Rritjes ka mbetur vetëm edhe një vit.
Kos porosit fituesit e zgjedhjeve se raporti vjetor i Komisionit Evropian për Serbinë përcakton qartë hapat që duhet të ndërmerren në periudhën e ardhshme.
“Duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë raport. Shumicën e gjërave tashmë i dinë. Nëse i ndjekin rekomandimet, do ta kenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë për ta rikthyer Serbinë në rrugën e zhvillimit demokratik”, thotë Kos.
“Fituan qytetarët e Serbisë”
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilëson zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi si fitore të demokracisë dhe të qytetarëve.
Sipas saj, kërkesat e lëvizjes studentore gjatë protestave përputhen me reformat që Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia si vend kandidat për anëtarësim.
“Ajo që ndodhi më 25 tetor, për mua, është fitore e demokracisë. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë. Fituan qytetarët e Serbisë”, thotë Kos.
Ajo shton se, pas kontakteve të para me përfaqësuesit e Listës Studentore, ka krijuar përshtypjen se ata janë seriozisht të përkushtuar ndaj realizimit të kërkesave që kishin paraqitur gjatë protestave, përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë dhe pavarësinë e mediave, si dhe pavarësinë e gjyqësorit.
“Këto janë të njëjtat kërkesa që ne ia parashtrojmë Serbisë si vend kandidat për anëtarësim në BE. Këtë e kam thënë që në fillim të protestave”, thekson Kos.
Kos paralajmëron vizitë në Serbi pas formimit të Qeverisë së re
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, thotë se do ta vizitojë Serbinë sapo të formohet Qeveria e re.
“Së pari duhet të formohet Qeveria e re. Kur të kemi një qeveri dhe një parlament të ri, gjërat mund të ecin shumë shpejt. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm dhe shpresoj që së shpejti të jetë e gatshme edhe Qeveria e re serbe”, thotë Kos.
Gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, por as në natën e zgjedhjeve, nuk u panë flamuj të Bashkimit Evropian.
E pyetur nëse Brukseli do t’i parashtrojë kërkesa pushtetit të ri përpara se ai të arrijë të stabilizojë gjendjen në vend, Kos thotë se nuk dëshiron t’u tregojë fituesve të zgjedhjeve se çfarë duhet të bëjnë.
“Ata u përballën me kushte shumë më të vështira se në cilindo vend tjetër dhe ia dolën. Kush jam unë, pra, që t’u tregoj se çfarë duhet të bëjnë?”, thotë ajo.
Kos shton se beson që studentët dhe mbështetësit e tyre e dinë se çfarë nevojitet për ta bërë Serbinë një vend të hapur, demokratik dhe të lirë.
Sipas saj, nëse vazhdojnë në rrugën që kanë nisur, përpjekjet e tyre për ndërtimin e një “Serbie të re” dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përfundimisht, do të përputhen.

