KORREKT / SOT4 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Avioni që transportonte Vulinin dhe u kthye në Beograd mbërrin në Moskë

Avioni që transportonte Vulinin dhe u kthye në Beograd mbërrin në Moskë

Avioni i kompanisë Air Serbia, i cili të martën në mbrëmje u kthye në Beograd gjatë fluturimit drejt Moskës për shkak të një kontrolli të sigurisë ndaj udhëtarëve, mes tyre edhe politikanit prorus dhe ish-zyrtarit të lartë shtetëror, Aleksandar Vulin, ka mbërritur në kryeqytetin rus të mërkurën në mëngjes.

Nuk dihet zyrtarisht nëse Vulini ishte në mesin e udhëtarëve të avionit që mbërriti në Moskë.

Megjithatë, kryeredaktori i portalit të aviacionit Tango Six, Petar Vojinoviq, njoftoi në rrjetin X se fluturimi JU134 i kompanisë Air Serbia mbërriti në Moskë të mërkurën me ndryshime në ekuipazh, për shkak të rregullave që përcaktojnë orarin e punës së ekuipazhit, por me “të njëjtët udhëtarë, të cilët, ishin më shumë se interesantë, pas shtatë orësh vonesë”, raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Avioni i Air Serbia u kthye në Beograd të martën në mbrëmje, pasi kompania kishte marrë nga shërbimet kompetente të aeroportit një informacion që kërkonte kryerjen e kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një udhëtar, sipas njoftimit.

Aleksandar Vulini, politikan që ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve me Kremlinin, i hodhi poshtë lajmet se nuk e kishte kaluar kontrollin e nevojshëm të sigurisë në Aeroportin “Nikolla Tesla”.

Pas kthimit të avionit në Beograd, Vulini i tha tabloidit Informer se bëhej fjalë për një “përpjekje për t’u hakmarrë politikisht” ndaj tij. Ai tha se po udhëtonte zyrtarisht drejt Moskës për të biseduar për marrëveshjen e furnizimit me gaz rus për Serbinë.

“Natyrisht, gjithçka është gënjeshtër. Kjo është vetëm një formë abuzimi dhe një përpjekje për t’ua dëshmuar pushtetarëve të rinj se sa shumë janë në mbrojtje të ideologjisë së tyre, madje edhe këtu, në aeroportin tonë”, tha Vulini.

Drejtori i kompanisë Srbijagas, Dushan Bajatoviq, i cili ndodhej në të njëjtin avion, i tha televizionit N1 se pas kthimit të paplanifikuar të avionit nga rruga drejt Moskës në aeroportin e Beogradit, ishte kryer një kontroll i hollësishëm i sigurisë ndaj të gjithë udhëtarëve dhe bagazheve të tyre.

Edhe pse në avion ndodheshin Vulini dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol në Qeverinë teknike të Serbisë, i njohur për qëndrimet proruse, Bajatoviq tha se nuk i dinte arsyet e udhëtimit të tyre.

Ai shtoi se udhëtimi i tij drejt Rusisë lidhej me problemet në furnizimin me gaz dhe në qarkullimin e pagesave, pas rastit të bankës Alta. Kjo bankë iu nënshtrua falimentimit më 3 nëntor, një ditë pasi pronari i saj, Davor Macura, u arrestua nën dyshimin se kishte nxjerrë nga kasaforta e bankës qindra miliona euro në para të gatshme.

Kush është Vulin?

Aleksandar Vulin është një nga politikanët më të afërt me Moskën në skenën politike serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa institucione të rëndësishme, duke shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, ndërsa nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023 ishte në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Më 11 korrik 2023, Shtetet e Bashkuara e vendosën Vulin në listën e sanksioneve, duke e akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me narkotikët. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, ai kishte ndihmuar trafikantin e sanksionuar të armëve, Slobodan Teshiq, si dhe kishte shfrytëzuar pozitat shtetërore për përfitime personale.

Emri i tij është përmendur edhe në skandalin e njohur si “tezja nga Kanadaja”, lidhur me pretendimin se tezja e bashkëshortes i kishte huazuar 205 mijë euro për blerjen e një banese. Agjencia kundër korrupsionit nuk e kishte pranuar këtë shpjegim, ndërsa prokuroria e kishte mbyllur çështjen për mungesë të provave për vepër penale.

Përveç akuzave për korrupsion, autoritetet amerikane e kanë cilësuar Vulin si një figurë që i ka mundësuar Rusisë të zgjerojë ndikimin dhe veprimtarinë e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Edhe opozitari rus Vlladimir Kara-Murza e ka akuzuar atë se në vitin 2021 ia kishte dorëzuar Nikolai Patrushevit transkriptet e përgjimeve të opozitarëve rusë në Beograd.

Patrushev, ish-drejtor i shërbimit sekret rus FSB dhe një prej bashkëpunëtorëve më me ndikim të Vladimir Putinit në çështjet e sigurisë, është përmendur në këtë rast. Vulin, ndërkaq, është një nga përkrahësit kryesorë të konceptit “srpski svet” (bota serbe), i cili synon afrimin dhe bashkimin e serbëve që jetojnë përtej kufijve të Serbisë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.