Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat.
Takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin, ku në fokus ishin prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe thellimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit u diskutua për planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe angazhimit të Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5), si një hap drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë.
Ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe forcimit të sigurisë rajonale. /Zëri
