Edhe pse Elon Musk është tërhequr nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai ka vazhduar të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të republikanëve.
Miliarderi amerikan ka dhuruar më shumë se 480 milionë dollarë për kandidatët republikanë në zgjedhjet e fundit, ndërsa pas humbjes së thellë të tyre ka reaguar me disa komente ironike në rrjetet sociale.
Në postimin e tij të parë, Musk shkroi: “Qendrat e të dhënave në hapësirë po duken gjithnjë e më tërheqëse tani”, transmeton Telegrafi.
Komenti i tij lidhet me gara zgjedhore si ajo në Teksas, ku ndërtimi i qendrave të të dhënave ishte një nga çështjet e debatueshme gjatë fushatës. Kjo temë u kundërshtua nga një pjesë e votuesve, të cilët në fund mbështetën kandidatët demokratë.
Vetëm një minutë më vonë, Musk publikoi një tjetër mesazh ironik: “Me sa duket, laserët e mi hapësinorë për të ndërhyrë në zgjedhje nuk funksionuan këtë herë”.
Postimet e tij vijnë pas rezultateve të pafavorshme për republikanët, të cilët pësuan humbje të konsiderueshme në disa gara të rëndësishme.
Zgjedhjet e mesmandatit u shoqëruan me shpenzime prej miliarda dollarësh nga të dy kampet politike, ndërsa Musk ishte ndër donatorët më të mëdhenj në mbështetje të kandidatëve republikanë. /Telegrafi/

