Demokrati James Talarico pritet të fitojë garën për Senatin amerikan në Teksas, duke mposhtur kandidatin republikan dhe prokurorin e përgjithshëm të shtetit, Ken Paxton, sipas projeksionit të CNN-it.
Talarico, 37 vjeç, bëhet demokrati i parë i zgjedhur në Senatin amerikan për të përfaqësuar Teksasin në 38 vjetët e fundit, si dhe demokrati i parë që fiton një garë në nivel shtetëror që nga viti 1994.
Fitorja e tij konsiderohet një nga befasitë më të mëdha të zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026. Kjo pasi ai arriti të mposhtë kandidatin republikan në një shtet që presidenti Donald Trump e kishte fituar me gati 14 pikë përqindjeje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Talarico, i cili është seminarist presbiterian dhe ish-mësues nga Round Rock, ishte relativisht i panjohur në Teksas para se të niste fushatën në shtator të vitit të kaluar.
Megjithatë, ai arriti të fitojë mbështetje në Teksas dhe në nivel kombëtar, duke e vendosur besimin fetar në qendër të mesazhit të tij elektoral dhe duke zgjeruar apelin edhe te votuesit e pavarur dhe ata republikanë.
Në fitoren e tij ndikoi edhe kandidatura e republikanit Ken Paxton, i cili gjatë fushatës u përball me një sërë polemikash.
Ndër to ishte edhe kërkesa e bashkëshortes së tij për divorc, të cilën ajo e kishte paraqitur duke iu referuar “arsyeve biblike”.
Paxton ishte akuzuar gjithashtu për mashtrim me letrat me vlerë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2023 ishte shkarkuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Teksasit përmes një procedure shkarkimi (impeachment), por më vonë ishte shpallur i pafajshëm nga Senati i shtetit.
Në vitin 2024, ai arriti një marrëveshje me prokurorët për t’u paguar kompensim viktimave në rastin e mashtrimit, duke shmangur kështu gjykimin. /Telegrafi/

