SpaceX nuk e ka fshehur synimin për ta shndërruar Starlink Mobile në një operator të mirëfilltë të telefonisë mobile në SHBA. Muajin e kaluar, kompania bleu edhe spektër shtesë frekuencash për ta realizuar këtë plan.
Megjithatë, një prej pengesave kryesore mbetet mungesa e një rrjeti tokësor të antenave. Javën e kaluar, drejtori ekzekutiv i T-Mobile përjashtoi mundësinë që Starlink Mobile të përdorë rrjetin e kompanisë së tij.
Por, sipas një raportimi të ri, Elon Musk mund të ketë gjetur një zgjidhje tjetër: blerjen e Boost Mobile, transmeton Telegrafi.
SpaceX thuhet se ka zhvilluar bisedime me kompaninë mëmë të Boost Mobile, EchoStar, gjatë muajve të fundit. Madje, Musk është takuar personalisht në tetor me kryetarin e bordit të EchoStar, Charlie Ergen.
Marrëveshja e mundshme mund të përfshijë blerjen e plotë të Boost Mobile nga SpaceX ose vetëm sigurimin e qasjes në rrjetin e saj. Boost Mobile aktualisht e merr me qira infrastrukturën e rrjetit nga AT&T dhe T-Mobile.
Në të dyja rastet, kjo do t’i mundësonte SpaceX të ofronte shërbime përmes antenave tradicionale celulare, veçanërisht brenda ndërtesave dhe në zonat urbane, ku sinjali satelitor i Starlink nuk është aktualisht mjaftueshëm i fuqishëm.
Sipas raportimeve, Musk u kishte kërkuar drejtuesve të tre operatorëve më të mëdhenj amerikanë – Verizon, AT&T dhe T-Mobile – që t’i mundësonin SpaceX qasje në rrjetet e tyre, por të tre kompanitë e kishin refuzuar kërkesën. Pra, kundërshtimi nuk erdhi vetëm nga T-Mobile.
Megjithatë, edhe një marrëveshje me Boost Mobile mund të përballet me pengesa. Kontratat për shfrytëzimin me qira të rrjeteve zakonisht nuk mund t’i transferohen një pronari të ri pa miratimin e operatorit që zotëron infrastrukturën.
Kjo do të thotë se AT&T dhe T-Mobile mund të duhet të japin pëlqimin përpara se SpaceX të nisë shërbimet përmes Boost Mobile. Sipas raportimit, gjasat që kjo të ndodhë nuk duken të mëdha.
Në gusht, SpaceX njoftoi planet për të hyrë në tregun amerikan të telekomunikacionit dhe për të konkurruar drejtpërdrejt me AT&T, T-Mobile dhe Verizon. Ndërkaq, gjatë një konference të fundit për rezultatet financiare, drejtori financiar i kompanisë, Bret Johnsen, deklaroi se synimi është që SpaceX të bëhet një operator i madh i telefonisë mobile në SHBA.
Kompania thuhet se e sheh krijimin e një rrjeti të plotë celular edhe si mundësi për të gjeneruar të ardhura të reja nga flota e saj prej më shumë se 12 mijë satelitësh.
Drejtori ekzekutiv i Verizon ka vlerësuar se SpaceX do t’i nevojiteshin katër deri në gjashtë vjet për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme. Musk, nga ana tjetër, ka deklaruar se kjo mund të realizohet për rreth gjysmën e asaj kohe. Megjithatë, afatet e vendosura nga Musk jo gjithmonë janë përmbushur.
Verizon dhe EchoStar kanë refuzuar të komentojnë raportimin, ndërsa SpaceX, AT&T dhe T-Mobile nuk kanë dhënë përgjigje ndaj kërkesave për koment. /Telegrafi/

