Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po vazhdon të mbështesë procesin e reformës në drejtësi, me fokus avancimin e Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë.
Sot u mbajt punëtoria e radhës e Grupit Punues të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, gjatë së cilës u diskutuan propozimet dhe komentet lidhur me Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Gjatë punëtorisë, vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve që ndërlidhen me funksionimin e Akademisë, garantimin e pavarësisë së saj, strukturën dhe organet drejtuese, si dhe përmirësimin e sistemit të trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Diskutimet për këtë projektligj pritet të vazhdojnë edhe në takimet e ardhshme të Grupit Punues, ku do të shqyrtohen më në detaje propozimet konkrete për përmirësimin e tij.
Përmes mbështetjes së këtij procesi, KDI synon të kontribuojë në avancimin e reformës në drejtësi, duke promovuar zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe llogaridhënëse.

