Ligjvënësit hungarezë kanë zgjedhur të martën një prokuror të ri të përgjithshëm, në kuadër të përpjekjeve të kryeministrit Péter Magyar për të vënë para përgjegjësisë ish-kryeministrin nacionalist Viktor Orbán dhe aleatët e tij, lidhur me akuzat për korrupsion.
Parlamenti miratoi Péter Fejesin, një prokuror me karrierë që së fundmi kishte dalë në pension, për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në një kohë kur hetimet për korrupsion në nivelet e larta të pushtetit po intensifikohen në vendin e Evropës Qendrore.
Tre ish-ministra ndodhen në paraburgim, përfshirë edhe ish-guvernatorin e Bankës Qendrore, të cilin Orbán dikur e kishte cilësuar si “njeriun e tij të djathtë”, transmeton Telegrafi.
Në votimin e fshehtë, Fejes mori 139 vota pro dhe gjashtë kundër, nga gjithsej 199 deputetë. Partia Tisza e kryeministrit Magyar zotëron më shumë se dy të tretat e ulëseve në parlament. Ndërkaq, partia Fidesz e Orbánit dhe aleati i saj KDNP bojkotuan votimin.
“Uroj që, në emër të të gjithë hungarezëve, të keni sukses në punën tuaj. Le të dridhen hajdutët! Edhe të gjithë kriminelët e tjerë”, shkroi Magyar në Facebook, pak pasi Fejes bëri betimin në parlament për mandatin nëntëvjeçar.
Besimi i publikut në prokurori ishte dobësuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbánit. Kritikët e kanë akuzuar këtë institucion, të centralizuar në masë të madhe, se kishte mbrojtur bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit të atëhershëm nga hetimet dhe përgjegjësia ligjore.
Fejes, 65 vjeç, ka deklaruar se synon të rikthejë besimin e humbur në Prokurorinë e Përgjithshme, duke vënë theks të veçantë në pavarësinë e punës së saj nga politika.
Pas zgjedhjes, gjatë një seance në parlament, ai kërkoi falje për “disa vendime të marra kohët e fundit nga Prokuroria e Përgjithshme, ose për mosveprimin e saj”, të cilat, sipas tij, me të drejtë kanë cenuar ndjenjën e drejtësisë te qytetarët.
Muajin e kaluar, parlamenti kishte refuzuar kandidatin e parë të propozuar nga presidenti András Baka për këtë post, pasi raportimet zbuluan se vëllai i tij kishte lidhje me të ashtuquajturin rasti i “konvojit të arit”.
Para zgjedhjeve parlamentare të prillit, të cilat Orbán i humbi përballë Magyarit, forcat hungareze të sigurisë ndaluan automjete që transportonin para dhe pasuri për një bankë shtetërore ukrainase, teksa po kalonin nëpër Hungari.
Gjatë operacionit u ndaluan shtatë punonjës të bankës dhe u sekuestruan miliona dollarë, euro dhe shufra ari. Autoritetet tatimore hungareze thanë se veprimi ishte pjesë e një hetimi për pastrim parash, por personat e ndaluar u liruan shpejt dhe pasuritë iu kthyen bankës. Çështja fillestare u mbyll më vonë.
Megjithatë, u hap një hetim i veçantë për pretendimet për shkelje të të drejtave gjatë operacionit.
Në qershor, prokurori që drejtonte hetimet për këtë rast, Pal Furcht, dha dorëheqje. Më vonë, ai pretendoi se eprorët e tij kishin penguar punën hetimore dhe se provat tregonin se urdhri për operacionin ishte dhënë nga vetë Orbán.
Avokati Loránt Horváth, i cili përfaqëson Furchtin dhe punonjësit e ndaluar të bankës, tha se shpreson që Fejes ta rihapë ose ta shqyrtojë çështjen.
“Shqetësimi ynë më i madh është se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka luajtur rol aktiv” në këtë operacion, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Ish-prokurori i përgjithshëm Gábor Bálint Nagy dha dorëheqje në korrik, pasi u përball me presion nga Magyar, i cili ka premtuar “ndryshim të regjimit” dhe ka kërkuar largimin e zyrtarëve të lartë të emëruar gjatë qeverisjes së Orbánit.
Që nga humbja e pushtetit nga Orbáni, disa hetime të tjera kanë shënuar përparim. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore, György Matolcsy, i cili më herët kishte shërbyer edhe si ministër i Ekonomisë, u arrestua muajin e kaluar nën dyshimet për “mashtrim ekonomik që ka shkaktuar dëme veçanërisht të mëdha financiare”.
Ndërkohë, ndaj djalit të tij, Adam Matolcsy, i dyshuar si bashkëpunëtor, është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar.
Dy ish-ministra të tjerë ndodhen në paraburgim që nga shtatori, nën dyshimet për korrupsion që besohet se i kanë shkaktuar buxhetit publik humbje prej miliona dollarësh.
Orbán i ka cilësuar këto dy hetime si veprime “të motivuara politikisht”, që sipas tij synojnë burgosjen e tij dhe shkatërrimin e partisë Fidesz.
Avokati Horváth deklaroi se deri më tani prokurorët kanë prekur “vetëm një pjesë shumë të vogël” të çështjeve të dyshuara.
Ndërkaq, Anna Unger, zyrtarja e re përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, ka paralajmëruar se sigurimi i vendimeve dënuese në këto raste mund të marrë vite.
Në një ueb-faqe të qeverisë janë publikuar më shumë se 60 raste të referuara për hetim, të cilat përfshijnë dyshime për keqpërdorim të miliarda eurove nga paratë e taksapaguesve. Lista përditësohet rregullisht me raste të reja. /Telegrafi/

