Real Madridi ka nisur që tani të planifikojë të ardhmen e portës, pasi Thibaut Courtois po i afrohet fazës së fundit të karrierës së tij. Në mesin e portierëve që po monitorohen nga gjiganti spanjoll është edhe holandezi Bart Verbruggen, i cili aktualisht mbron ngjyrat e Brightonit.
Sipas gazetës gjermane Sport Bild, gazetari Ben Fernandez Santos ka konfirmuar se Real Madridi po e përcjell me vëmendje zhvillimin e portierit holandez.
Paraqitjet e tij në Ligën Premier kanë tërhequr vëmendjen e klubit madrilen, ndërsa interesimi për të është rritur edhe falë performancave me Brightonin dhe kombëtaren e Holandës.
Në moshën 24-vjeçare, Verbruggen tashmë është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës angleze. Përkundër moshës së re, ai ka fituar edhe përvojë në nivel ndërkombëtar.
Një prej paraqitjeve të tij të fundit që ra në sy ishte ajo kundër Manchester Cityt, ku arriti ta mbante portën të paprekur, duke ndihmuar Brightonin të fitonte 1-0 në udhëtim.
Kontrata e Verbruggen me Brightonin është e vlefshme deri në vitin 2028, një detaj që mund ta bëjë transferimin e tij më të përshtatshëm për Real Madridin.
Kjo periudhë përputhet me përfundimin e pritshëm të kontratës së Courtois, në rast se portieri belg nënshkruan vazhdimin e saj deri në të njëjtin vit.
Megjithatë, Verbruggen nuk është emri i vetëm që po shqyrtohet nga drejtuesit madrilenë.
Gjatë muajve të fundit, Real Madridi është lidhur edhe me disa portierë të tjerë, përfshirë portugezin Diogo Costa, francezin Guillaume Restes, italianin Gianluigi Donnarumma, si dhe Luca Brugmans dhe spanjollin David Raya./Telegrafi/

