Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës , Nenad Rashiq, shprehet optimist se fitorja e Listës Studentore në Serbi ka krijuar kushte për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke komentuar deklaratën e Listës Studentore se nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe në Kosovë, Rashiq për Radio Dukagjinin tha se një qëndrim i tillë ishte i pritshëm.
“Duhet të kuptohet se njerëzit të cilët janë deputetë nga radhët e Listës Studentore janë më së shumti shkencëtarë, profesorë, gjithsesi një strukturë, ta themi, më e avancuar e shoqërisë në Serbi. Prandaj, qasja në esencë është absolutisht ndryshe, sepse e dimë çfarë qasje ka pasur Vuçiqi. Këtu përmendi edhe Banjskën dhe aktivitetet e tjera. Vuçiqi ka qenë rrezik për rajonin, jo vetëm për Kosovën, por ka qenë rrezik për rajonin. Në këtë konstelacion e konsideroj që secila prej iniciativave që buron nga ana e listës studentore, së pari, do të jetë paqësore dhe do të jetë e përkushtuar për një dialog, për stabilitet gjithëpërfshirës. Dhe ata vetë kanë paralajmëruar se e para do të jetë vazhdimi i dialogut me Kosovën dhe stabilizimi i marrëdhënieve, që për mua është shumë domethënëse. Do të kemi një strukturë e cila është shumë më paqësore dhe demokratike sesa ajo që e ka përfaqësuar sistemi i Vuçiqit, me këta të cilët do të vijnë. Prandaj, unë jam shumë optimist që shumë shpejt do të kemi edhe riinicim, ringjallje të dialogut”, theksoi
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka vlerësuar se dialogu i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të krijojë mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të të dyja vendeve.
“Unë konsideroj që shumë hapa ka në mes të atyre njohjeve ose mosnjohjeve, veçanërisht sa i përket zhvillimit të standardeve të cilat do të ishin në favor të përafrimit të përbashkët për BE-në. Aty unë e shoh një mundësi të përbashkët, ku Serbia dhe Kosova, me një dialog stabil, të vazhdueshëm, mundet me pas, për një periudhë relativisht të shkurtër kohore, mundësi të bashkohen në Bashkimin Evropian. Konsideroj që kjo është shans edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, që të përshpejtojmë afrimin me Bashkimin Evropian dhe në atë formë që edhe ne të jemi pjesë e saj në një moment”, theksoi ai.
Rashiq në një intervistë për Radio Dukagjinin e ka cilësuar të pritshëm qëndrimin e Listës Studentore për të mos bashkëpunuar me Listën Serbe në Kosovë, duke ngritur akuza për keqpërdorim të fondeve dhe duke thënë se përfaqësuesit e kësaj partie duhet të japin llogari për veprimtarinë e tyre.
“Në aspektin e punimit ose bashkëpunimit, apo edhe mosbashkëpunimit me Listën Serbe nga ana e Listës studentore, është absolutisht normale. Bile, unë konsideroj që nëse shpëtojnë dhe nuk janë në burg, të paktën gjysma prej tyre, duhet të jenë shumë falënderues. Mos harroni që shumica prej tyre jo vetëm që janë deputetë në Kuvendin e Kosovës, por po ashtu janë disa shefa, drejtorë e kryetarë në sistemin e Serbisë. Prandaj, jam i sigurt që ata do të duhet të japin llogari sa i përket fondeve të cilat i kanë përdorur ose keqpërdorur nga ana e sistemit të Serbisë. Prandaj, nëse ata shpëtojnë dhe nuk janë në burg për disa muaj, do të kisha qenë i çuditur”, theksoi Rashiq.
Lista Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor 2026, duke shënuar një kthesë të madhe politike pas 14 vjetësh qeverisje të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

