Një aeroplan pasagjerësh që vinte nga Londra bëri një ulje të paplanifikuar në aeroportin Varshavë-Modlin në Poloni.
Dhe një ulje e tillë thuhet se erdhi pas një kërcënimi me bombë të martën, gjë që çoi në mbylljen e aeroportit.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një aeroplan tjetër që vinte nga Kopenhaga po kontrollohej në aeroportin Varshavë-Chopin.
Shërbimet e sigurisë po verifikonin kërcënimin e raportuar në Modlin, njoftoi aeroporti përmes një deklarate.
“Në orën 09:54, u raportua një kërcënim me bombë në bordin e një aeroplani që kryente fluturimin në itinerarin Londër Heathrow (LHR) – Aeroporti Varshavë-Chopin (WAW). Në orën 10:01, një aeroplani Boeing 737 MAX u ul në aeroportin Varshavë-Modlin”, thuhet në deklaratë.
“Për shkak të situatës, aeroporti Varshavë-Modlin mbetet i mbyllur deri në një njoftim të dytë. Po kryhen verifikime lidhur me kërcënimin e raportuar, për të garantuar sigurinë e të gjithë personave që ndodhen në aeroport”.
Sipas njoftimit, 181 personat që ndodheshin në bordin e aeroplanit po evakuoheshin.
Një zëdhënës i kompanisë ajrore polake LOT konfirmoi se bëhej fjalë për një fluturim të kësaj kompanie.
Një kërcënim me bombë u raportua gjithashtu në një fluturim të kompanisë SAS nga Kopenhaga për në Varshavë; aeroplani u ul në aeroportin Chopin dhe po i nënshtrohej kontrolleve, tha një zëdhënës i aeroportit Varshavë-Chopin, duke shtuar se aeroporti vazhdonte të funksiononte normalisht.
Varshava ka dy aeroporte: aeroportin Chopin, i cili ndodhet brenda kufijve të qytetit, dhe aeroportin Modlin – i përdorur kryesisht nga kompanitë ajrore me kosto të ulët – i cili ndodhet rreth 36 km larg kryeqytetit. /Telegrafi/

