Psikologu Daniel Kahneman, fitues i Çmimit Nobel për Ekonomi në vitin 2002, ishte njëri nga studiuesit më të njohur të gabimeve që bëjnë njerëzit kur marrin vendime duke u mbështetur në intuitë. Ai kishte kundërshtarë intelektualë, ndër të cilët psikologun Gary Klein, i cili kishte studiuar se si ekspertët marrin vendime të mira duke u mbështetur në intuitë.
Në vend që të përpiqej ta mundte Kleinin në një “debat të nxehtë viral me shumë argumente”, Kahnemani e ftoi të punonin bashkë. Për rreth gjashtë vjet ata studiuan kushtet në të cilat intuita është e besueshme dhe ato në të cilat ajo na mashtron. Rezultati ishte një studim shkencor me titullin domethënës A Failure to Disagree – Dështimi për të mos u pajtuar.
Kahnemani ishte kundër asaj që disa e quajnë “angry science”, shkencë e hidhëruar, ku studiuesit përpiqen t’i zhvlerësojnë idetë e njëri-tjetrit. Ai zgjodhi të punonte me kundërshtarin e tij për të gjetur përgjigje, në vend që të përpiqej ta mposhtte.
Rezultati që është arritur nuk është me rëndësi për atë që dua ta them. Me rëndësi është procesi që ka zgjedhur psikologu. Jo debat e ballafaqim për të fituar, por punë në projekte të përbashkëta. Idetë nuk duhet të jenë sport ku dikush fiton e dikush humb. Mospajtimi duhet të jetë pikënisje për të gjetur përgjigje, jo për t’i thelluar dallimet.
Fatkeqësisht, shoqëria kosovare, apo në një masë të madhe edhe ajo në botë, është duke lëvizur në drejtim të kundërt me atë që ka praktikuar Kahnemani. Në vend të bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje, po shkojmë drejt ballafaqimit të ideve dhe luftës se kush ka më shumë të drejtë, gjë që rezulton në më pak zgjidhje problemesh e më shumë militantizëm.
Gjithsesi që një rol kyç në këtë e luajnë mediat sociale, e sidomos Facebook-u. Modeli i tyre ekonomik mbështetet në angazhimin e përdoruesve, në kohën që ata kalojnë në platformë dhe në ndërveprimet që bëjnë. Problemi është se përmbajtjet që shkaktojnë frikë, zemërim dhe përçarje, shpesh gjenerojnë më shumë angazhim sesa ato që nxisin mirëkuptim.
Sipas një serie hulumtimesh të Wall Street Journal-it, Facebook-u e dinte që algoritmet e tij mund të nxisnin përçarje. Në një prezantim të brendshëm të vitit 2018, studiuesit e kompanisë paralajmëronin se algoritmet shfrytëzonin tërheqjen e njerëzve ndaj përçarjes dhe, nëse nuk ndërhyhej, do t’u ofronin gjithnjë e më shumë përmbajtje përçarëse për t’i mbajtur më gjatë në platformë.
Në prill të vitit 2020, Anna Stepanov i prezantoi Mark Zuckerbergut disa propozime për ndryshimin e algoritmit të përçarjes, urrejtës e hidhërimit, përfshirë një metodë që do ta kufizonte amplifikimin e përmbajtjeve problematike. Sipas memorandumit të saj, Zuckerbergu ishte i gatshëm ta testonte ndryshimin, por nuk dëshironte zbatimin e tij në shkallë të gjerë nëse do të kishte ndikim të konsiderueshëm negativ në angazhimin e përdoruesve.
Përkthyer në gjuhë të thjeshtë: kompania kishte identifikuar mekanizma që shtonin përçarjen, por një zgjidhje e propozuar u kushtëzua nga ndikimi që mund të kishte në angazhimin e përdoruesve.
Pra, edhe kur dihet se një mekanizëm mund të përhapë ndasi, ndryshimi i tij bëhet problem nëse njerëzit kalojnë më pak kohë në Facebook. Marku i do paratë më shumë se të mirën e përgjithshme.
Këtë model nuk e ka vetëm Facebook-u. Shumë media sociale përdorin algoritme që shpërblejnë përmbajtjet që gjenerojnë më shumë reagime dhe angazhim. Nuk është e thënë që këto algoritme gjithmonë të krijojnë urrejtje, por ato mund t’u japin përparësi përmbajtjeve që provokojnë emocione të forta, përfshirë zemërimin dhe frikën.
Duke pasur parasysh se mediat sociale janë duke ndikuar gjithnjë e më shumë në informacionin që marrim dhe në mënyrën se si i formojmë mendimet tona, shohim që shoqëria në botë, e me të edhe ne, shkojmë drejt thellimit të qëndrimeve e jo gjetjes së zgjidhjeve.
Zuckerbergu është miliarder i cili dëshiron ta rrisë pasurinë e tij dhe nuk paguhet nga taksat tona apo të dikujt tjetër. Ai e drejton një kompani private që ka për qëllim edhe gjenerimin e fitimit. Kjo nuk e liron nga përgjegjësia për ndikimin që ka kompania e tij në shoqëri, por shpjegon pse angazhimi i përdoruesve ka peshë kaq të madhe në vendimet e saj.
Unë besoj se deputetët, politikanët dhe mediat që thonë se punojnë për të mirën publike, nuk duhet ta adoptojnë modelin e Facebook-ut.
Nuk mendoj që politikanët duhet të kërkojnë raste ekstreme dhe të nxisin përplasje përmes frikës dhe urrejtjes për të arritur te votuesi. Mendoj se duhet të gjejnë strategji për zgjidhjen e problemeve, në mënyrë që të krijojnë një masë kritike njerëzish që i mbështesin këto zgjidhje dhe që, pastaj, mund të ndikojnë edhe te votuesit e tjerë.
Së pari, mendoj se kjo metodë e krijimit të ndasisë është e pamoralshme. Por, përveçse e pamoralshme, mendoj se ajo nuk është domosdoshmërisht as në dobi të vetë politikanëve – sidomos nëse kanë për qëllim rritjen afatgjatë të përkrahjes e jo mbajtjes së asaj që kanë. Duke mobilizuar njerëzit përmes frikës dhe zemërimit, mund të fitosh vëmendjen e tyre, por jo domosdoshmërisht besimin e atyre që mendojnë ndryshe. Përkundrazi, krijon armiqësi tek ata që mendojnë ndryshe.
Në këtë aspekt duhet t’i gjykojmë edhe mediat që organizojnë debate konfrontuese. Modeli i tyre shpesh është i ngjashëm me atë të Facebook-ut. Përplasjet, akuzat dhe deklaratat ekstreme gjenerojnë shikueshmëri, reagime dhe klikime. Mirëpo, a i afrojnë ato qytetarët drejt kuptimit të problemeve dhe gjetjes së zgjidhjeve?
Ekziston argumenti se mediat janë kompani private dhe duhet të jenë të lira ta zgjedhin përmbajtjen e tyre. Kjo është e vërtetë. Por, mediat dhe gazetarët gëzojnë edhe mbrojtje të posaçme ligjore, siç është mbrojtja e burimeve gazetareske, pikërisht për shkak të rolit që kanë në shoqëri.
Prandaj, mendoj se ky grup njerëzish na ka borxh që të mos përhapë urrejtje dhe të mos nxisë mendime ekstreme vetëm për të rritur shikueshmërinë. Debatet televizive nuk duhet të jenë gara se kush e mund kundërshtarin me fjalë më të rënda. Ato duhet të shërbejnë për të kuptuar problemet, për t’i ballafaquar argumentet dhe, kur është e mundur, për të gjetur pika të përbashkëta.
Kjo nuk do të thotë se duhet të hiqet dorë nga debati apo kritika. Përkundrazi, kundërshtimi është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Por, ka një dallim të madh ndërmjet debatit që synon të kuptojë dhe atij që synon vetëm ta mposhtë kundërshtarin.
Kahnemani dhe Kleini nuk hoqën dorë nga mospajtimet e tyre. Ata vendosën t’i përdornin ato për të krijuar diçka të përbashkët.
Ndoshta kjo është ajo që na mungon më së shumti: jo njerëz që pajtohen me njëri-tjetrin, por njerëz të cilët, edhe kur nuk pajtohen, janë të gatshëm të punojnë bashkë.
Në fund, për dashamirët e psikologjisë, studimi i Kahnemanit dhe Kleinit tregoi se intuita e ekspertëve mund të jetë e besueshme kur plotësohen dy kushte: ambienti ku merret vendimi ka modele mjaftueshëm të parashikueshme dhe vendimmarrësi ka pasur përvojë të mjaftueshme, të shoqëruar me mundësi për të mësuar nga rezultatet, që t’i njohë këto modele.
Pra, edhe intuita, edhe analiza me arsye kanë vendin e vet. Varet nga rrethanat.
Por, për mua, mësimi më i rëndësishëm i këtij studimi nuk është se kur duhet t’i besojmë intuitës. Është se si duhet të sillemi me njerëzit me të cilët nuk pajtohemi … edhe të mos i publikojmë mendimet e njerëzve të tërbuar.
/Telegrafi/

