Ish-portieri i Real Madridit, Santi Canizares, ka kritikuar ashpër Vinicius Juniorin, duke deklaruar se sjellja e brazilianit po i shkakton probleme klubit madrilen dhe po dëmton imazhin e tij.
Canizares beson se Vinicius ka krijuar vazhdimisht situata të pakëndshme për “Los Blancos”, ndërsa kundërshtimi i tij ndaj rinovimit të kontratës së sulmuesit nuk ka ndryshuar, pavarësisht vendimit të klubit për ta mbajtur atë.
Ish-portieri spanjoll kishte qenë kundër rinovimit të kontratës së brazilianit që verën e kaluar, duke argumentuar se lojtari e kishte shteruar vlerën e tij te klubi.
“Ndoshta jam i vetmi që mendon kështu, por e konsideroj këtë vendim një gabim. Për mua, rinovimi i kontratës së Viniciusit ishte gabim, sepse lojtari e kishte shteruar plotësisht vlerën e tij. Gjithashtu, nuk mendoj se oferta e Arsenalit ishte reale”, deklaroi Canizares.
Ai madje kishte shpresuar që Real Madridi të mos ia vazhdonte kontratën brazilianit, në mënyrë që ky i fundit të largohej si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.
“Shpresoja që Real Madridi të mos ia rinovonte kontratën dhe që Vinicius të largohej si lojtar i lirë në verën e vitit 2027, pasi e kishte shteruar vlerën e tij. Nuk do të kishte pasur asnjë problem me këtë”, u shpreh ai.
Canizares theksoi se nuk e sheh të mundur shitjen e Viniciusit te Arsenali, jo për shkak të aftësive të tij futbollistike, por për shkak të problemeve që, sipas tij, braziliani ka me karakterin.
“Nuk shoh asnjë mundësi që ai të shitet te Arsenali, jo për shkak të aftësive të tij, por sepse është një i ri me shumë probleme dhe jo çdo klub e dëshiron atë”, shtoi ish-portieri.
“Përveç kësaj, klubet e mëdha kujdesen për imazhin e tyre. Ka dallim mes transferimit të Diomandes, i njohur për karakterin e tij, dhe transferimit të Viniciusit me karakterin e tij”, deklaroi Canizares.
Por ish-reprezentuesi spanjoll nuk u ndal vetëm te rinovimi i kontratës së brazilianit. Ai kritikoi edhe vendimin e Real Madridit për ta aktivizuar Viniciusin në ndeshje, duke e konsideruar këtë një gabim të dyfishtë.
“Rinovimi i kontratës së tij është gabim, por aktivizimi i tij në ndeshje është një gabim i dyfishtë. Ai e ka shteruar vlerën e tij. E transferuat me një çmim të ulët, ju dha një përfitim të madh dhe fitoi dy Liga të Kampionëve me ju”.
“Shpresoj që të gjitha marrëveshjet të jenë kaq të suksesshme, por kjo çështje tashmë ka përfunduar”, përfundoi ai./“Shpresoja të largohej falas”, ish-ylli i Real Madridit me kritika të ashpra ndaj Viniciusit/

