Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e mjeteve në vlerë prej 1 milion eurosh, në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave të tij në fushën e efiçiencës së energjisë.
Në njoftim thuhet se përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin e saj për uljen e konsumit të energjisë, promovimin e përdorimit sa më efikas të saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve përmes investimeve që sjellin përfitime të prekshme dhe afatgjata.
“Mbështetja për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka qenë e vazhdueshme, ku që nga viti 2019, Qeveria ka ndarë mjete me vlerë totale 10 milionë euro, me qëllim të mbështetjes së fushëveprimit dhe zgjerimit të masave për efiçiencën e energjisë në mbarë vendin.
Përkrahja për Fondin është realizuar jo vetëm përmes ndarjeve buxhetore, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që mbështesin familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.
Puna e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë paraqet një shembull të suksesshëm të mënyrës se si politikat publike dhe investimet strategjike mund të shndërrohen në përfitime konkrete për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se përmes rinovimit të ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore, këto investime kontribuojnë në uljen e konsumit të energjisë, zvogëlimin e shpenzimeve për energji dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
“Investimet në efiçiencën e energjisë u mundësojnë familjeve të gëzojnë kushte më të mira banimi, shtëpi më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, duke siguruar njëkohësisht kursime të qëndrueshme në faturat e energjisë.
Përfitimet e tyre shtrihen përtej ekonomive familjare, pasi kursimet e energjisë ndihmojnë në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, forcimin e sigurisë energjetike të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. /Telegrafi/

