Avokati Asdren Bytyqi ka folur për fenomenin e dhunës në familje dhe gjendjen e familjes në shoqërinë kosovare, duke shprehur shqetësimin e tij për atë që e konsideron degradim të thellë moral dhe humbje të vlerave njerëzore.
Sipas Bytyqit, realiteti në Kosovë po dëshmon se familja nuk po trajtohet më si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë, ndërsa mungesa e ndjeshmërisë njerëzore dhe morale po ndikon në mënyrën se si perceptohen vlerat familjare.
“Realiteti në Kosovë po tregon që familja më nuk është prioritet dhe nuk është baza më e shëndoshë e shoqërisë sonë. Ajo e ka humbur shenjtërinë për shkak të degradimit të thellë në moral që e kemi si shoqëri. Kjo nënkupton që më nuk e kemi sensin ose ndjeshmërinë njerëzore, morale, karshi asaj se çka konsiderohet e shenjtë dhe e shtrenjtë për vetveten”, ka deklaruar Bytyqi në emisionin "Ora 7" në Klan Kosova.
Ai ka theksuar se këtë gjendje e lidh me disa rrethana shoqërore, duke përmendur edhe krizat psikike dhe shkëputjen e lidhjes me Zotin si faktorë që, sipas tij, ndikojnë në degradimin moral të shoqërisë.
“Ky degradim puro moral, si rezultat i disa rrethanave, e në mesin e një prej tyre është se kemi kriza të thella psikike si rezultat i shkëputjes së lidhjes sonë me Zotin. Mendoj se shoqëritë degradojnë kur nuk kanë një bosht të përbashkët, çka konceptojnë si vlerë dhe antivlerë”, është shprehur avokati./Klankosova.tv

