KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ngjarja në Gjilan, Krasniqi kritikon QPS-në: Foshnja iu dorëzua babait pa u vlerësuar gjendja e tij

Ngjarja në Gjilan, Krasniqi kritikon QPS-në: Foshnja iu dorëzua babait pa u vlerësuar gjendja e tij

Gazetari Vullnet Krasniqi ka kritikuar ashpër funksionimin e Qendrave për Punë Sociale, pas ngjarjes tragjike në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë babai dhe foshnja.

Duke folur për këtë rast dhe përgjegjësinë institucionale, Krasniqi ka ngritur shqetësime për mënyrën se si QPS-të trajtojnë rastet e ndjeshme familjare, duke vënë në pikëpyetje vendimin për t'ia dorëzuar fëmijën babait pa një vlerësim paraprak të gjendjes së tij.

“Kemi një vendim të pamenduar nga ndonjë ekspertizë, dorëzim direkt i atij fëmije te babai, pa parë gjendjen e tij. Ideja është që përsëri kemi një institucion të shtetit që ka vendosur ta dorëzojë një fëmijë në duart e një babai që nuk është i aftë ta mbajë as veten”, ka deklaruar Krasniqi në emisionin "Ora 7" në Klan Kosova.

Ai ka kritikuar edhe mungesën e veprimeve konkrete institucionale në rastet e dhunës në familje dhe mbrojtjes së grave e fëmijëve. Sipas tij, kryetarët e komunave kishin marrë edhe një përgjegjësi shtesë në kuadër të grupeve për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës në familje, por deri më tani, sipas Krasniqit, nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme.

“Para një viti kishin dalë kryetarët e komunave bashkë me qeverinë, kishin marrë një vendim që kinse kryetarët e komunave janë kryesues të grupeve për mbrojtjen e grave dhe dhunën në familje në komunat përkatëse. Çështja është, këta njerëz që një vit e kanë marrë këtë detyrë ekstra, që të jenë njëfarë lideri ose gardiani i mbrojtjes së familjes, në tri komuna për momentin nën kujdesin e tyre ka shkuar një grua dhe një fëmijë, dhe në asnjërën prej këtyre komunave nuk kemi asnjë vendim të ndërmarrë deri tash”, është shprehur ai.

Krasniqi ka theksuar se, sipas tij, mungesa e përgjegjësisë institucionale vërehet edhe në faktin se nuk ka zyrtarë të suspenduar pas rasteve të rënda.

“Ata e kanë marrë detyrën për ta mbrojtur familjen dhe nuk po e bëjnë. Nuk e di pse po vazhdojnë të qëndrojnë aty. Nuk kemi asnjë zyrtar të suspenduar. I bie që diskutimi serioz duhet të fillojë nga institucionet, nga QPS-të”, ka thënë gazetari.

“Kur thua QPS, njerëzit nuk e kanë në kokë ndonjë institucion të rëndësishëm, por aty po vendoset për jetën e fëmijës, nënës dhe krejt familjes. QPS-të janë zyra burokratike, e dorëzon një dokument, ai ta kthen një dokument, kaq është. QPS nuk është dashur të jetë për punë burokratike, duhet një riorganizim tjetër”, ka deklaruar Krasniqi.

Gazetari ka kërkuar riorganizim të mënyrës së funksionimit të këtyre institucioneve, duke argumentuar se problemet e ndryshme sociale dhe familjare nuk mund të trajtohen në mënyrë të njëjtë dhe brenda një strukture të vetme pa specializim të duhur.

“Nuk mundesh brenda një qendre t'i trajtosh tri probleme që nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën”, ka përfunduar ai./Klankosova.tv

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.