KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

“Jazzfest Berlin 2026” sjell një festival të mbushur me improvizim, eksperimente dhe ëndrra muzikore

“Jazzfest Berlin 2026” sjell një festival të mbushur me improvizim, eksperimente dhe ëndrra muzikore

Me moton “Dream Baby Dream”, edicioni i 63-të i Festivalit të Xhazit në Berlin u shndërrua në një takim të shumëllojshëm artistik, ku improvizimi, eksperimentimi dhe ndërthurja e zhanreve muzikore krijuan një program që sfidoi kufijtë tradicionalë të xhazit.

Festivali, i cili u zhvillua nën drejtimin artistik të Nadine Deventer, e shndërroi ëndrrën në një ftesë për të besuar te fuqia e muzikës edhe në kohë të vështira. Programi përfshiu jo vetëm koncerte, por edhe teatër improvizues, cirk dhe aktivitete muzikore në komunitet, duke zgjeruar përvojën artistike përtej skenave tradicionale.

Hapjen e festivalit e bëri Maria Portugal, bateriste, këngëtare dhe kompozitore me origjinë nga São Paulo, e cila së bashku me Erasão Percussion Trio, Burkhard Beins dhe Emilio Gordoa solli një performancë që ndërthurte lëvizjet eksperimentale të skenës muzikore të Berlinit me ndikimet e Tropicalismo-s braziliane.

Një nga momentet më të rëndësishme ishte paraqitja e muzikantit amerikan Anthony Braxton, 81-vjeçar, i konsideruar ndër figurat më të rëndësishme të xhazit bashkëkohor. Ai prezantoi një vepër të porositur posaçërisht për festivalin, së bashku me një septet të përbërë nga katër saksofonë dhe tri tuba. Përmes sistemit të tij të veçantë të notacionit, të quajtur “Language Music”, Braxton drejtoi muzikantët përmes sinjaleve dhe gjesteve, duke krijuar një përvojë muzikore që sfidonte perceptimin tradicional të kohës dhe hapësirës.

Edhe skena e Quasimodo-s u bë pjesë e programit përmes performancës së kitaristes amerikane Wendy Eisenberg, e cila prezantoi albumin e saj më të ri. Në skenë iu bashkuan violinistja Mari Rubio dhe basisti Nick Dunston. Muzika e Eisenberg-ut u dallua për ironinë, elementet surreale dhe reflektimet mbi një shoqëri gjithnjë e më të përqendruar te individualizmi.

Festivali riktheu gjithashtu disa prej artistëve të preferuar të publikut, mes tyre violonçelistja Tomeka Reid, e cila së bashku me kitaristen Mary Halvorson prezantoi albumin e tyre bashkëpunues “Dance! Skip! Hop!”. Performanca ndërthurte kompozime melodike me ritme të Django Reinhardt-it, ndikime latine dhe elemente të hip-hopit.

Në mesin e paraqitjeve të tjera spikati edhe Chicago Underground Duo, me bateristin Chad Taylor dhe trumpetistin Rob Mazurek, të cilët sollën një performancë të mbështetur në eksperimente elektronike dhe referenca muzikore ndaj Don Cherry-t.

Mbrëmja përmbyllëse solli këngëtaren Ganavya, e cila tashmë jeton në Berlin, duke prezantuar edhe vajzën e saj të porsalindur para publikut, përpara se të udhëhiqte një performancë meditative me harpë dhe kontrabas.

Një tjetër moment i veçantë ishte paraqitja e Globe Unity Orchestra, kolektivit legjendar të free jazz-it, të udhëhequr nga pianisti Alexander von Schlippenbach. Me 15 muzikantë në skenë, orkestra festoi 60-vjetorin e themelimit përmes një performance të mbështetur në improvizim. Në këtë paraqitje mori pjesë edhe pianistja Aki Takase, bashkëshortja e Schlippenbach-ut, e cila u bë gruaja e parë që iu bashkua kolektivit në skenë.

Në vlerësimin e tij për festivalin, Maurice Summen vë në pah edhe ndryshimin që ekipi organizues ka arritur të sjellë në një skenë historikisht të dominuar nga burrat, duke i dhënë hapësirë një brezi dhe një qasjeje më të larmishme artistike.

Me një program që ndërthurte breza, kultura dhe forma të ndryshme të shprehjes muzikore, Jazzfest Berlin 2026 dëshmoi se xhazi vazhdon të jetë një hapësirë e hapur për kërkim, liri krijuese dhe ëndrra të reja. /kultplus

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.